E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pa çlirimin e votës, nuk ka zgjidhje

Opozita, protestë në Durrës: Nuk do të ndalemi deri në rrëzimin e qeverisë

Garancia e votës duket se është thelbi i protestave të fundit të opozitës. Nga 28 qershor ende i pahetuar e deri te 8 maji 2011 që po afron, segmenti i zgjedhjeve të kontestuara duket se do të mbyllet në një stacion problematik, për të cilin Partia Socialiste dhe aleatët e saj janë angazhuar për ta shmangur. Në këtë kuadër, Durrësi ka qenë qyteti i radhës, ku opozita e bashkuar ka organizuar një protestë kundër qeverisë me moton: “Sali Berisha dështoi, transparencë”. Dhe në fakt, në fjalën e kreut socialist, Edi Rama, Kryeministri Sali Berisha ka qenë qendra e sulmeve dhe akuzave, përmes të cilave opozita vlerëson atë si shkaktar të gjendjes së krijuar në Shqipëri. “Ai nuk do ta zgjidhë fatin e të përmbyturve, ndonëse gjithë ditën derdh lot krokodili për ta, pasi ai është i sigurt se votën e tyre do ta marrë sërish. Edhe po nuk ia dhanë, do ua marrë. Saliu e ka lënë në baltë Shqipërinë dhe shqiptarët, duke u lënë kundërshtarëve si rrugëdalje ikjen nga vendi”, - është shprehur Edi Rama. Mjafton leximi i përciptë i këtij paragrafi për të kuptuar se shqetësimi kryesor i PS-së dhe aleatëve të saj mbetet zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme, që janë edhe finalizimi i krizës aktuale, qoftë në drejtimin pozitiv, qoftë në atë negativ. “Është shumë e rëndësishme që ne të çlirojmë votën, sepse vetëm duke çliruar votën, ne çlirojmë një ekonomi, çlirojmë drejtësinë, demokracinë, arsimin dhe shëndetësinë, pasi vetëm kur të varet nga populli, nga vota e tij, qeveria do të sillet me popullin si shërbëtore e tij. Për sa kohë që qeveria do t’ia marrë popullit votën edhe kur populli nuk ia jep, do ta trajtojë popullin si skllav, si rob, si vartës, do tallet me popullin siç tallet Saliu përditë”, - u shpreh Rama. Në këtë kuadër, Edi Rama ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Sali Berishës, që është edhe ankthi kryesor për deformimin e votës së qytetarëve shqiptarë. “Ne do të vijojmë protestat...pasi nuk mund të jetojmë në mes të Europës me të gjitha këto probleme për të cilat ka vetëm një fajtor: Saliu”, - vijoi kreu socialist. Përmbytjet, korrupsioni, kriza ekonomike, papunësia dhe rëndimi i kostos së jetesës janë elementë qenësorë të mobilizimit që po kërkon të nxisë Partia Socialiste. Ajo që po përvijohet si frika e mosrealizimit të një  fitoreje, “paradoksalisht” nuk ka të bëjë me testimin paraprak të elektoratit, votës majtas të të cilit PS-ja i beson tanimë plotësisht, por procesi elektoral që certifikon rrokadën e pushtetit. Ndoshta për këtë arsye, edhe theksi i mesazheve opozitare mbetet në vijimësi vota e lirë, për eliminimin e së cilës nga praktika shqiptare, PS-ja po bën përgjegjës vetëm Sali Berishën. “Saliu ka zgjedhur oborrin e korrupsionit, prandaj ai duhet të ndëshkohet me votën e lirë e të ndershme”, - tha Rama. Nga Durrësi, ai ka akuzuar qeverinë dhe Kryeministrin Berisha për dështimet e vendit në këtë fundviti dhe mospranimin e 3 zgjidhjeve të ofruara nga socialistët në emër të interesave të vendit, zgjidhje të cilat u trajtuan si herezi. Protestës në Durrës i është bashkuar edhe drejtuesi i PDK-së, Nard Ndoka. Ai së bashku me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i bënë thirrje qytetarëve të bashkohen e të fitojnë luftën kundër qeverisë, që po e mban vendin larg Europës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›