Byzhyti: Nuk është e pamundur të fitohet në Kavajë
Mesfushori Alban Byzhyti ka nisur të vrapojë, dhe pse nuk dihet nëse do të jetë apo jo me Besën, por ai ka besim të plotë te skuadra
Kampionati i kategorisë së parë mbetet mjaft interesant, pasi gjithçka është e hapur si për kreun e tabelës së renditjes, ashtu edhe për fundin e saj. Lushnja do të ndeshet me Besën këtë fundjavë dhe do të kërkojë patjetër 3 pikët në fushën e saj.
Nga ana tjetër, Luftëtari dhe Kukësi, dy nga rivalët kryesorë, kanë ndeshje të vështira në këto javë të fundit, ndaj dhe kampionati mbetet i bukur dhe mund të dhurojë surpriza. Vetëm dy skuadra do të marrin direkt biletën e superligës, ndërsa tri të tjera do të jenë të detyruara të luajnë ndeshje shtesë me kundërshtarë nga superliga.
Byzhyti Trajneri Malko dhe ndihmësit e tij janë duke punuar shumë të përkushtuar këto ditë, ku vëmendja është përqendruar te efikasiteti para portës kundërshtare. Një lajm i mirë për të gjithë tifozët lushnjarë është se mesfushori Alban Byzhyti është parë të vrapojë në pistën e stadiumit. Futbollisti lushnjar, ndër më të mirët e skuadrës verdhejeshile, u dëmtua në ndeshjen me Luftëtarin në stadiumin Roza Haxhiu, duke u tradhtuar nga kavilja.
Byzhyti flet për ndeshjen e kaluar dhe për atë që do të luhet në Kavajë me Besën: Kam nisur vrapimet dhe shpresoj që sa më shpejt të jem në dispozicion të skuadrës. Stafi mjekësor po kujdeset dhe kam urdhra të rrepta për të mos e rënduar kaviljen. Megjithatë, do të stërvitem që të jem gati dhe të luaj, nëse më lejojnë mjekët. Skuadra ka zgjidhur dy ndeshje mjaft të vështira javën e shkuar, ato me Butrintin dhe me Burrelin.
Sigurisht, më vjen keq nëse nuk do të luaj ndaj Besës. Është një ndeshje shumë e vështirë për skuadrën, por them se nuk është e pamundur të fitohet në fushën e Kavajës. Besa ka një skuadër mjaft të mirë dhe duhet të ishte më lart në klasifikim. Ky është formati i këtij kampionati, ku vetëm dy skuadra do të ngjiten direkt një kategori më lart. Them se Lushnja e ka potencialin që të marrë maksimumin e pikëve deri në fund dhe të ngjitet në superligë, – ka thënë dje mesfushori Alban Byxhyti.
