Brahimi takohet me al-Asad: Kriza në Siri, kërcënim global

Televizioni shtetëror i Sirisë ka bërë të ditur se i dërguari ndërkombëtar për krizën, Lakdar Brahimi, është takuar me presidentin sirian, Bashar al-Asad. Bëhet fjalë për takimin e parë të Brahimit me Asadin që nga koha kur ai u ngarkua me detyrën e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe për Sirinë. Revolta kundër Asadit ka hyrë në muajin e 18-të, ndërsa aktivistët kanë bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së premte janë vrarë 160 persona.
I dërguari i ri i OKB-së dhe Ligës Arabe ndodhet në Damask në vizitën e parë zyrtare në Siri, ndërsa theksoi se kriza në atë vend është përkeqësuar. Lakhdar Brahimi u takua më herët edhe me Ministrin e Jashtëm sirian, dhe gjithashtu do të takohet me anëtarë të opozitës siriane, të cilët po luftojnë për të përmbysur nga pushteti Assadin. Brahimi e ka cilësuar punën e tij për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi dhe fillimin e bisedimeve për një qeveri kalimtare, thuajse të pamundur.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së është bllokuar lidhur me krizën në Siri. Rusia dhe Kina u kanë vënë veton përpjekjeve për të vendosur sanksione të reja më të ashpra kundër qeverisë Assad. Shtetet e Bashkuara nuk duan asnjë lloj angazhimi ushtarak në Siri, ndërkohë që nuk është bërë thuajse asnjë përparim drejt bashkimit të opozitës së shpërndarë për të formuar një alternative të mundshme për regjimin e presidentit Assad. Edhe Papa Benedikti XVI, ka bërë thirrje për ndaljen e konfliktit në Siri. Po kështu edhe Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka përsëritur dhe njëherë qëndrimin kundër udhëheqësit të Sirisë, duke theksuar se fundi i regjimit të tij është i pashmangshëm.