E Hënë, 2 Nëntor 2026

Masat ndaj pijeve alkoolike, çekët injorojnë vendimin e Qeverisë

Qytetarët e Republikës ceke duken mospërfillës, pavarësisht masave të marra së fundmi, për ndalimin e pijeve alkoolike që provokuan vdekjen e të paktën 19 personave. Përveç viktimave, edhe 24 të tjerë ndodhen në ambjente spitalore si pasojë e helmimit me alkool të lirë me përbërje të metanolit. Substanca toksike,e përdorur për të forcuar alkoolin, ka shkaktuar verbim, koma dhe vdekje të përdoruesit. Ky alkool sjell fitime të mëdha për prodhuesit e tregut të zi.

Republika Çeke ka shpallur masa urgjente, por pavarësisht kësaj, pritet që numri i personave të vdekur nga helmimi me këtë lloj alkooli të rritet, pasi janë të shumtë ata që e kanë përdorur atë. Në tregjet e kontrolluara ndalohet shitja e pijeve me më shumë se 30 për qind alkool. Pas incidenteve, policia ka ndërhyrë në mbi 400 lokale, ku në 70 prej tyre ka gjetur alkool ilegal. Kryeministri i Çekisë, Petër Neças, u bëri thirrje çekëve të përmbahen nga konsumimi i alkoolit të çfarëdoshëm dhe që nuk ka element tregues të qarë për origjinën e prodhimit apo edhe përbërjen. Në mesin e të vdekurve ishin edhe dy femra të moshës 28 dhe 21 vjeçare.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›