E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braho: Ky Luftëtar është mbi rivalët, superliga çështje kohe

Nga Sokrat Papadhopulli

Futbollisti gjirokastrit Florian Braho pohon se, nëse nuk arrihet suksesi këtë sezon, nuk do të arrihet kurrë më vonë

Tifozët e moshuar gjirokastritë nuk e harrojnë lojën e futbollistëve të dinastisë Braho, ku edhe më të rinjtë janë në dijeni  të saj (më të shquarit janë Sefedini, Ibrahimi dhe Hyseni). Ata janë në dijeni për golat e kësaj firme, kryesisht të Sefedenit, ndërsa i fundmi i tyre, Florjani, ka në koleksionin e madh 7 të fundit, të raelizuar sezonin e kaluar me fanellën e Luftëtarit, që të gjithë në fazën  e dytë.

Nga 4 ndeshjet e këtij kampionati, ai është aktivizuar në 3 prej tyre (të parën ishte i pafeduruar, sepse bënte manovra me Bylisin), pa luajtur asnjë të plotë, ndoshta ngaqë ende nuk e ka ndezur motorin, kështu që nuk ka bërë ndonjë shpërthim të madh,  si për të imituar vullkanet që shpërthejnë rrallë, por në mënyrë shkatërruese.

Kundërshtari i radhës për Luftëtarin është Elbasani, por ndeshja e kombëtares U-21 bën që të luhet dueli me Lushnjën, që në fakt  nuk e ka mendjen te gjirokastritët, sepse pret Besëlidhjen nesër në fushën e saj. Ishte pikërisht kjo e fundit që e mundi Luftëtarin në Lezhë, duke i marrë kreun  e renditjes me golaverazh, pasi që të dy kanë  nga 9 pikë.

Fitorja e Lushnjës është edhe në favor të Luftëtarit, që këtë javë do të bëjë pushim dhe do të presë të shtunën tjetër për tu ballafaquar me Lushnjën, pra një pritje e pambarimtë dhe që prish ritmin.

Braho uron fitoren e Lushnjës ndaj Besëlidhjes  Duke parë gjendjen dhe përbërjen e ekipit, Braho nuk e vë në diskutim ngjitjen në superligë: Pas Luftëtarit, që luajti për herë të fundit në superligë, para 4 sezonesh, ekipi i tanishëm është më i kompletuari, më solidi, më i pasuri me lojtarë, madje edhe nga ata me përvojë në superligë, ndaj dhe me seriozitet kërkon rikthimin në elitë.

Mendimi im është se, nëse këtë sezon Luftëtari nuk e realizon objektivin, do të jetë diçka fatale, sepse do të jetë e vështirë në të ardhmen e afërt të formohet përsëri një ekip i tillë. Në këtë situatë duhet të bëjmë kujdes dhe të përqendrohemi për të arritur suksesin. Kjo varet nga ngazhimi ynë, pasi ekipet e tjera rivale, me sa jam në dijeni, nuk e kanë përbërjen tonë.

Deri tani, për të qenë të saktë, sulmi i ekipit tonë nuk ka bërë shpërthimet e mundshme dhe nuk ka rendimentin e kërkuar në realizimin e golave, por besoj se kthesa është shumë afër dhe në ndeshjen me Lushnjën do të arrijmë atë që duam dhe që presin edhe tifozët tanë. E vlerësojmë këtë ekip, por duke qenë se kemi me vete edhe lojtarin e 12-të, do të jemi ne fitues. I uroj Lushnjës fitore në ndeshjen me Besëlidhjen për të mirën e saj dhe tonën, – ka thënë mes të tjerash futbollisti gjirokastrit, Florian Braho.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›