Stafi teknik në ankth, Elbasani mbetet me 3 mbrojtës
I vetmi lojtar me përvojë në këtë repart është Bella. Trajneri File ka në dispozicion dhe dy të rinjtë Dosti dhe Ibrahimi
Mbrojtja është kthyer në një çështje te verdheblutë ditët e fundit, pasi vetëm 3 lojtarë të këtij reparti janë të gatshëm për trajnerin File për momentin. Pas Kacolljes, i cili ka probleme fizike, dhe Kaçulit të dënuar nga komisioni i disiplinës me 5 javë pezullim për goditje të kundërshtarit, vjen edhe skualifikimi për po kaq ndeshje i kryeqytetasit Ardi Sekseni.
Ky mbrojtës është dënuar 5 javë nga komisioni i disiplinës, pasi ka goditur një nga lojtarët e Gramozit pas përfundimit të ndeshjes. Ky lajm ka rënë si bombë për trajnerin Ilirian File, i cili ka në dispozicion vetëm mbrojtësit Bella, Dosti dhe Ibrahimi. Këta të fundit kanë bërë një paraqitje të mirë në ndeshjen e fundit, por që nuk japin shumë siguri për ndeshje më të forta.
I vetmi mbrojtës me eksperiencë dhe që ka qenë titullar në çdo ndeshje të Elbasanit është Aldo Bella, i cili pritet të rikthehet të luajë në pozicionin e tij natyral, pra atë të qendërmbrojtësit, ndërsa përkrah do të ketë të riun Dosti.
Merxha në të djathtë të mbrojtjes Problem për trajnerin File do të jenë krahët e mbrojtjes. Në krahun e majtë pritet të luajë Ibrahimi, i cili e ka mbuluar këtë rol edhe në ndeshje të tjera, ndërsa për krahun e djathtë mendohet të sakrifikohet kapiteni Eriol Merxha, i cili luan si mesfushor i djathtë.
Tashmë stafit teknik i duhet të punojë shumë për të krijuar një formacion të ri, pasi mungesat në mbrojtje e detyrojnë trajnerin të provojë mjaft lojtarë në role të ndryshme. Me shtyrjen e ndeshjes me Luftëtarin në Gjirokastër stafi ka më shumë kohë për ta përgatitur ekipin për Adën, edhe pse mungojnë alternativat.
Shpresohet që të paktën të riaftësohet në kohë Kacollja, i cili pësoi një tërheqje në ndeshjen me Gramozin, por ende nuk është e qartë se kur do të jetë gati për lojë. Nëse Kacollja do të jetë gati për Adën, stafi teknik mund të marrë frymë pak më lirisht, por kjo mbetet për tu parë.
