E Diel, 1 Nëntor 2026

Braho: SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale, BKH-së ia lejon ligji arrestimet

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, tha sot se Policia e Shtetit mbetet partneri kryesor i Prokurorisë së Posaçme, por theksoi se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) duhet të kenë pavarësi procedurale dhe operacionale për të përmbushur me efikasitet misionin e tyre.

Gjatë raportimit në komisionin e për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Braho iu përgjigj pyetjeve të deputetit socialist Erjo Mile, i cili kërkoi sqarime për shtimin e operacioneve të BKH-së në terren pa asistencën e Policisë së Shtetit, duke iu referuar edhe arrestimit të Adi Çobës në Durrës.

Braho mohoi se kjo lidhet me mungesë besimi ndaj Policisë së Shtetit, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy institucioneve.

Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi patur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin me të madh për Policinë e Shtetit, për të gjithë ata njerëz që punojnë. Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo dyshojmë ne. Policia e Shtetit është partneri jonë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne, suksesi jonë është i lidhur me Policinë”, tha ai.

Megjithatë, kreu i SPAK theksoi se BKH ka të drejtë ligjore të kryejë veprime procedurale, përfshirë arrestimin e personave në kërkim.

“Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë, veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH.  Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S’duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore. Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera më të cilat bashkëpunojmë”, tha Braho.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›