Gogu: Sistemi i drejtësisë matet me zbatimin e ligjit dhe rezultatet për qytetarët

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi sot një takim me degët e Shërbimit të Ndihmës Juridike Falas, Përmbarimit Shtetëror, Shërbimit të Provës dhe Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve.
Gjatë takimit, fokusi ishte te rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të drejtën e përfitimit të ndihmës juridike falas, ekzekutimi me efikasitet i vendimeve gjyqësore, fuqizimi i programeve të riintegrimit për personat dhe të miturit në konflikt me ligjin, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ministri Gogu theksoi se funksionimi i sistemit të drejtësisë nuk varet vetëm nga cilësia e legjislacionit, por edhe nga mënyra se si institucionet zbatojnë ligjin dhe ndikimi konkret që ato kanë në jetën e qytetarëve.
“Një sistem drejtësie funksional nuk matet vetëm me cilësinë e ligjeve, por edhe me mënyrën se si institucionet i zbatojnë ato dhe me ndikimin që kanë në jetën e qytetarëve. Për këtë arsye, dakordësuam për angazhim maksimal, koordinim më të mirë dhe një qasje të orientuar drejt rezultateve konkrete”, tha Gogu.
/m.q/a.f/