PD ankimon në Kushtetuese rrëzimin e komisioneve hetimore për AKSHI-n dhe investimet në rrugë

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Partia Demokratike njoftoi sot se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit që refuzoi ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, një për kontratat e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe një tjetër për kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas njoftimit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kërkesa është firmosur nga 46 deputetë të opozitës.
PD argumenton se Kuvendi ka shkelur dispozitat kushtetuese duke mos pranuar ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, të cilat i cilëson si mekanizma të rëndësishëm të kontrollit parlamentar, transparencës dhe llogaridhënies.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, opozita parashtron argumentet që, sipas saj, provojnë se vendimi i Kuvendit bie ndesh me të drejtat kushtetuese të pakicës parlamentare për ushtrimin e funksionit mbikëqyrës ndaj veprimtarisë së institucioneve shtetërore.
Partia Demokratike kërkon nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e çështjes dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për mosngritjen e komisioneve hetimore.
/gj.m/r.e/