Brataj: Nevojitet një agjenci e vetme e emergjencave, zinxhiri i gjatë i kompetencave vonon ndërhyrjen

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Drejtori i Urgjencës Mjekësore Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi sot se nevojitet një riorganizim i sistemit të emergjencave civile dhe krijim i një strukture të unifikuar, me qëllim rritjen e eficiencës së reagimit në situata si zjarret apo përmbytjet.
Në aktivitetin e organizuar për prezantimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve, rritjen e gatishmërisë së strukturave shtetërore dhe koordinimin në terren për çdo emergjencë, ku të pranishëm ishin ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, kreu i AKMC-s, Haki Çako dhe drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, Brataj u shpreh se forcat operacionale të zjarrfikësve përballen shpesh me pengesa dhe me një zinxhir të gjatë kompetencash institucionale, që sipas tij ndikon drejtpërdrejt në kohën e reagimit.
“Ju jeni forca operative. Pas jush janë mjetet, ligjet, vendimet dhe procedurat që përcaktojnë mënyrën si duhet të veprojmë apo të mos veprojmë. Unë mendoj se ka ardhur koha për një agjenci të vetme”, deklaroi ai.
Brataj solli në vëmendje ndarjen aktuale të kompetencave mes institucioneve, duke përmendur bashkitë, strukturat vendore dhe shërbimet e ndryshme të emergjencës.
“Sa më shumë zgjatet zinxhiri i kompetencave, aq më vonë ndërhyjmë. Zjarrfikëset janë pranë jush, por varen nga bashkitë, ju si forcë jeni pjesë e Ministrisë. Janë dhjetëra elementë që krijojnë pengesa operative”, tha Brataj.
Sipas tij, në diskutimet e vazhdueshme të task-forcave flitet shpesh për shtimin e kapaciteteve, për përballimin e zjarreve dhe përmbytjeve, por mungon diskutimi për buxhetet e nevojshme.
“Kur e kam ngritur këtë problem, më është thënë se ekziston buxheti i institucionit nga shteti. Por unë e kam për 3 milionë shqiptarë, jo për 15 milionë njerëz që ndodhen në vend gjatë sezonit veror”, u shpreh Brataj.
Ai nënvizoi nevojën për planifikim më të mirë të burimeve njerëzore dhe logjistike, duke vlerësuar angazhimin e pandërprerë të forcave të emergjencës.
“Ju punoni 12 apo 24 orë. Kur jepet alarmi nuk pyetet nëse je apo jo në shërbim. Prandaj duhet që të gjitha strukturat e urgjencës të jenë të integruara dhe të bashkërenduara”, tha ai.
“Duhet të kemi një strukturë mbështetëse që i shoqëron menjëherë ekipet në terren, me ambiente për pushim, higjienë dhe shërbim mjekësor. Një ristrukturim i tillë u jep mundësi forcave të rikthehen të qeta dhe të gatshme për të vijuar punën”, theksoi Brataj.
Në përfundim, drejtori i Urgjencës Kombëtare apeloi për një ndryshim të mentalitetit institucional dhe për një qasje të përbashkët mes të gjitha strukturave përgjegjëse.
“Qëllimi ynë është qytetari, mjedisi dhe siguria publike. Këto arrihen vetëm kur ndërtojmë një shtëpi institucionale, për të realizuar objektivin tonë të përbashkët”, përfundoi Brataj.
/e.i/r.e/