Braun dëshmon për Irakun: Ishte një luftë e drejtë
Para panelit që merret me çështjen e legjitimitetit të luftës së Irakut ka dalë dje Kryeministri aktual i Britanisë, Braun, që ka dhënë dëshmi në lidhje me vendimin e marrë nga paraardhësi i tij, Bler dhe Partia e tij Laburiste. Që në fillim ai deklaroi se “Lufta e Irakut ishte e drejtë” dhe se trupat britanike ishin të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për një situatë të tillë. Më pas, ai ngulmoi se ai nuk ishte mbajtur në errësirë për luftën nga paraardhësi i tij, Bler, edhe pse ai nuk kishte qenë i ndërgjegjshëm për disa zhvillime. Sipas deklaratave të Braun mbledhjet që kishte pasur me shefat e shërbimit sekret e kishin bindur që Iraku përbën një kërcënim me të cilin vendet duhet të përballeshin. Por çështja kryesore për të ishte se Iraku vepronte në kundërshtim me shumë parime të rezolutave të OKB-së dhe se sipas tij, shtete të tilla nuk duhet të lejohen që të veprojnë duke shkelur ligjet ndërkombëtare. Sipas Kryeministrit, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të vepronte i bashkuar në rastin e Irakut, sipas tij, rendi i ri botëror që të gjithë po përpiqen të krijojnë do të vihej në rrezik. Kryeministri ka dëshmuar për rreth 4 orë rresht para panelit të posaçëm për luftën në Irak.
Në kohën e luftës në Irak, Braun ishte ministri i Financave.
Braun e ka nisur disi i nervozuar dëshminë e rij, por më pas është relaksuar. Ndryshe nga paraardhësi i tij i cili e mori veten vetëm në fund të një dëshmie që zgjati 6 orë rresht. Ndër të tjera, ai tha se ndërsa kishte luajtur një rol aktiv në luftën e Irakut, ai nuk ishte ftuar në disa takime kyçe mes Blerit dhe Bushit dhe nuk ishte në dijeni të përmbajtjes së tyre dhe të letërkëmbimit mes të dy ish-liderëve.
Kritikë të ndryshëm e kanë akuzuar Braunin për shkurtim të shpenzimeve ushtarake të buxhetit të përdorur kryesisht për blerjen e masave mbrojtëse. Kjo shkaktoi shumë viktima te trupa britanike dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rastin e Irakut, por edhe të Afganistanit. Braun i tha panelit se Britania ka shpenzuar 8 miliardë sterlina për luftën e Irakut. Sipas tij, gjeneralët ishin ata që duhet të bënin kërkesat e tyre duke pasur parasysh edhe situatën e terrenit dhe nëse do ta kishin bërë, sipas tij, ai nuk do t’i kishte kthyer pas.
Për sa i përket hetimit në të cilin kanë dëshmuar shumë figura të rëndësishme dhe kyçe të vendimmarrjes në lidhje me Irakun, muajt e ardhshëm do të tentohet që të dëshmojnë edhe ish-anëtarë të administratës “Bush”
#