Hysni Burgaj: Trafiku i drogës dhe pastrimi i parave, si u kryen 14 operacione ndërkombëtare
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, përpos të gjitha angazhimeve që ai ka në punën e tij të përditshme ka gjetur kohën të përgjigjet në një intervistë të gjatë për gazetën “Shqip” rreth problematikës së institucionit të tij. Burgaj thotë se efektivat policorë kanë kryer 14 operacione ndërkombëtare antitrafik dhe pastrimit të parave, 13 prej të cilëve në vitin 2009 dhe 1 në shkurt të këtij viti që çuan në pranga 20 persona. Gjithçka ka ndodhur pas letër-porosive të ardhura nga Italia, Gjermania, Zvicra, SHBA-ja, Kosova dhe Greqia. Kreu i policisë vlerëson bashkëpunimin në shkëmbimin e informacioneve dhe realizimin e operacioneve të përbashkëta me Interpolin, qendrën e SECI-t në Rumani, oficerët e kontaktit e atashetë policorë nga Greqia, Franca, Vendet Nordike, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, si dhe zyrën e DEA-s në Romë. Duke u ndalur në problemet që ka aktualisht Policia e Shtetit, Burgaj u shpreh se emergjente është reforma strukturore e Policisë Rrugore për të rritur efektivitetin e saj në parandalimin e aksidenteve, thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe rritja e cilësisë së informacionit. Sipas tij, Policia e Shtetit ka një qëndrueshmëri në standarde të kënaqshme dhe sistemi i gradave është faza e parë të ndërtimit të sistemit të ri për ecjen në karrierë. Kreu i uniformave blu këmbëngul se policia është jashtë ndikimeve politike, në themel të veprimtarisë së saj ka vetëm ligjin dhe se emërimet janë tërësisht transparente e të mbështetura mbi kritere profesionale. Të larguarit nga radhët e policisë që kanë fituar të drejtën me gjyq, për rikthimin e tyre në punë duhet të aplikojnë pranë Drejtorive të Policive në qarqe dhe kërkesat e tyre shqyrtohen nga Drejtoria e Personelit. Kryepolici shqiptar tha se ndër treguesit më pozitivë është ulja e ndjeshme e kultivimit të kanabisit me rreth 14 për qind dhe se statistikat tregojnë se qarqet më problematike lidhur me kultivimin e bimëve narkotike gjatë 2009-s kanë qenë Shkodra dhe Kruja dhe më pas Vlora e Gjirokastra.
Kanë kaluar më shumë se 2 vjet e gjysmë nga miratimi i Ligjit (4 qershor 2007) “Për Policinë e shtetit”. Mund të themi se kemi një polici që operon tërësisht mbi ligje?
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkoi ndërmarrjen e një sërë procesesh dhe reformash institucionale, ekonomike dhe sociale në të gjithë jetën e vendit. Implementimi me sukses i këtyre reformave do të përshpejtonte procesin e aderimit të vendit tonë në familjen europiane. Në këtë kontekst nga institucione të ndryshme të vendit u ndërmorën një sërë reformash në funksion të këtij integrimi, dhe pjesë e tyre janë dhe ato të ndërmarra në institucionin e Policisë së Shtetit. Të gjitha këto nisma kanë synuar krijimin e standardeve më të mira për zhvillimin e mëtejshëm të policisë, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar ndaj komunitetit. Në kuadër të këtij procesi të rëndësishëm reformues ngritja e infrastrukturës ligjore në përputhje me zhvillimet e Policisë dhe përqasja e saj sipas standardeve të vendeve të BE-së ka qenë një objektiv parësor i Policisë së Shtetit. Pas miratimit të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, drafti i të cilit u hartua në bashkëpunim të plotë me misionet e huaja që prej vitesh asistojnë Policinë Shqiptare, u hartuan dhe miratuan një sërë aktesh të tjera që plotësojnë më së miri kuadrin ligjor në kuadër të të cilit operon Policia e Shtetit. Aktet e miratuara janë hartuar me asistencën e misioneve të huaja PAMECA e ICITAP, si dhe në përputhje të plotë apo të pjesshme me legjislacionin e vendeve të BE-së apo dhe rekomandimeve të akteve të tjera ndërkombëtare. Për sa u përket ndryshimeve legjislative të kryera mund të themi se përgjatë këtyre viteve është formuar një qëndrueshmëri, e cila vlerësohet në standarde të kënaqshme. Vetëm gjatë viti 2009 janë hartuar 3 ligje, nga të cilët veçoj ligjin “Për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë”, miratuar nga Kuvendi, më 22. 10. 2009. Njëkohësisht janë hartuar edhe 20 projektvendime të Këshillit të Ministrave, 16 urdhra e udhëzime të ministrit të Brendshëm, si dhe 22 urdhra të drejtorit të Përgjithshëm e rregullore të karakterit të aktit normativ profesional. Vazhdimi i procesit të harmonizimit të legjislacionit të Policisë së Shtetit e përafrimi i tij me atë të Bashkimit Europian dhe akteve të tjera ndërkombëtare është përcaktuar si një ndër objektivat parësorë të Policisë së Shtetit për vitin 2010.
A e formësuan përfundimisht karrierën policore gradat e reja?
Në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit“ dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave “Mbi përcaktimin e pozicioneve Korresponduese sipas gradave në Policinë e Shtetit dhe Ekuivalentimin e tyre” Policia e Shtetit me asistencën dhe të partnerëve ndërkombëtarë ndërmori një sërë hapash duke bërë të mundur implementimin e sistemit të ri të gradave. Kjo ishte vetëm faza e parë e ndërtimit të një sistemi të ri të ecurisë në karrierë, e cila do të pasohej nga një proces i tërë reformues për sa i përket mënyrës së zhvillimit të saj. Në themel të këtij sistemi të ri qëndron konkurrenca e ndershme, meritat dhe vlerat profesionale, si dhe integriteti personal i çdo punonjësi policie. Grada në Policinë e Shtetit në sajë të këtij sistemi merret vetëm përmes konkurrimit dhe këtij konkurrimi mund t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e policisë që plotësojnë kushtet e kërkuara nga ligji. Tashmë është i dyti vit që po aplikohet me sukses procesi i konkurrimit për ecurinë në gradë dhe në karrierë, duke bërë të mundur që të marrë fund një herë e përgjithmonë praktika e promovimit të individëve pa asnjë meritë individuale profesionale. Sot, Policia e Shtetit promovon dhe vlerëson kuadrot e saj vetëm mbi bazën e aftësisë, kontributit dhe integritetit të gjithsecilit punonjës në radhët e policisë. Zhvillimi i procesit të promovimit në gradë, sipas udhëzuesit të gradimeve, është një garanci për të ardhmen e zhvillimit të policisë.
Cilat janë problemet me të cilat ndeshet sot Policia e Shtetit?
Një prej sfidave kryesore me të cilat do të përballet Policia e Shtetit gjatë këtij viti do të jetë realizimi i reformës strukturore në policinë rrugore për të rritur efikasitetin e saj, me qëllim parandalimin e aksidenteve e rritjen e sigurisë në rrugë. Thellimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit, si dhe i bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit si: Prokurori, SHISH, Tatimet, Doganat, Drejtorinë e Pastrimit të Parave etj., për të arritur sukses në luftën kundër kriminalitetit dhe forcimit të shtetit ligjor, si dhe implementimi i vazhdueshëm i teknologjisë dixhitale për rritjen e cilësisë së informacionit dhe shërbimeve në strukturat e Policisë së Shtetit, do të jenë të tjera pika kyçe ku do të përqendrohet puna e policisë. Po ashtu, përmirësimi i burimeve njerëzore dhe infrastrukturës për menaxhimin e kontrollit të kufijve sipas kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit do të jetë një ndër çështjet që do të ndiqet me përparësi gjatë këtij viti. Një tjetër përparësi do të jetë rritja e mëtejshme e kapaciteteve profesionale të personelit të policisë, nëpërmjet trajnimit dhe rritjes së etikës profesionale në punë.
Të huajt kanë asistuar në trajnimin policor, mjaft i rëndësishëm ky për profesionalizmin e kësaj strukture. Ata dhe opinioni publik duan të dinë se a kemi progresin e pritur në këtë drejtim?
Rritja e kapaciteteve e aftësive profesionale të personelit policor është identifikuar nga Policia e Shtetit si një ndër objektivat parësorë të saj që lidhet ngushtë me cilësinë e shërbimit të ofruar nga policia për publikun. Në këtë kontekst vit pas viti janë propozuar dhe zhvilluar një numër i konsiderueshëm trajnimesh, si nga Policia e Shtetit ashtu dhe falë mbështetjes nga donatorë të ndryshëm kryesisht misionet policore, shtetet partnere europiane apo organizatat joqeveritare, të cilat gjej rastin t’i falënderoj. Shërbimi policor i orientuar për nga qytetari është ajo çka komuniteti pret nga ne dhe besojmë që kemi gjetur rrugën e përshtatshme për këtë, që është përmirësimi i profesionalizmit në polici nëpërmjet një sistemi trajnimi të përshtatshëm dhe efikas. Ne kemi më shumë se tre vite që zbatojmë modelin e ri të trajnimeve në polici, gjë që ka ndikuar në përmirësimin e punës së Policisë së Shtetit dhe e ka bërë atë një partnere të besueshme për komunitetin dhe policitë homologe në botë. Rezultatet e arritura dhe përmirësimi dukshëm i cilësisë së shërbimit na bëjnë të mendojmë që jemi duke u zhvendosur me shpejtësinë e duhur drejt implementimit të një shërbimi policor profesional dhe efikas të orientuar drejt nevojave të publikut. Edhe në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë, ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht zhvillimin e një sistemi trajnimi të modeluar sipas praktikave më të mira perëndimore, të aftë për t’iu përgjigjur nevojave profesionale të organizatës. Kjo përbën një garanci që Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë në shërbim me njerëz të pajisur me koncepte të reja dhe më një shërbim sa më cilësor për qytetarin. Në sajë të këtyre trajnimeve balanca e shërbimit policor është zhvendosur dukshëm për nga modelet moderne të policimit dhe këtë më së miri e dëshmon paraqitja gjithnjë në rritje e Policisë së Shtetit, e ky është një lajm i mirë për policinë dhe komunitetin.
Cilat janë aktualisht nevojat më imediate të Policisë së Shtetit për të përmbushur misionin e saj? A ka ajo mbështetjen e mjaftueshme logjistike?
Në vazhdimësi, qeveria shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë kanë mbështetur përmirësimin e infrastrukturës logjistike të Policisë së Shtetit, me qëllim që performanca e saj të jetë sipas standardeve të vendeve më të zhvilluara europiane. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë realizuar një sërë investimesh në disa komisariate dhe drejtori policie qarku për krijimin e ambienteve të reja ose rikonstruksione të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të punës për personelin etj. Po ashtu me fonde të buxhetit të shtetit u bë e mundur blerja e 297 copë automjeteve të reja të cilat tashmë janë vënë në shërbim të strukturave policore dhe po japin rezultatet e para në performancën e strukturave policore dhe përmirësimin e shërbimit të ofruar nga policia për publikun. Ky përbën një ndër investimet më të mëdha të bëra në këtë drejtim. Në kuadër të këtyre investimeve është bërë e mundur pajisja me mjete për kontrollin e drogave dhe për kontrollin e pasaportave biometrike për Policinë Kufitare dhe Migracionin, pajisja me 300 copë pistoleta “Beretta” dhe 8 komplete zhytjeje me gjithë pajisjet ndihmëse, si dhe sigurimi i 203 kompleteve mbrojtës taktikë për strukturat e Forcave Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë etj. Po gjatë vitit 2009, përfundoi implementimi i Sistemit DATACOM, i cili krijoi mundësinë e një infrastrukture të teknologjisë së lartë për implementimin e të gjitha sistemeve të informacionit në interes të strukturave përbërëse të Policisë së Shtetit, si ajo kriminale, rendit, kufirit e mbështetëse, si dhe përfundoi shtrirja e sistemit TIMS në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe dhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar, duke u dhënë mundësinë e komunikimit dhe transmetimit të informacionit nëpërmjet sistemeve kompjuterike dixhitale dhe krijuar mundësinë për personelin policor të shkëmbimit të informacionit në kohë reale. Ndërkohë, për vitin 2010, nga Policia e Shtetit përparësi i është dhënë: dixhitalizimit të informacionit dhe zhvillimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit, sigurimit të uniformës së re të Policisë së Shtetit, e cila mund të quhet një revolucion më vete në ndryshimin e imazhit të Policisë së Shtetit para komunitetit, sigurimit të pajisjeve speciale për strukturat operacionale, si dhe përmirësimit të mëtejshëm të ambienteve të punës në strukturat e Policisë së Shtetit. Ndihma dhe përkrahja e qeverisë për institucionin e Policisë së Shtetit dhe e partnerëve ndërkombëtarë, ashtu sikundër dhe më parë do të jetë prezent dhe gjatë këtij viti, duke bërë të mundur përmbushjen e nevojave të strukturave policore në këtë drejtim.
Në ndonjë rast është folur për ndikim të politikës në radhët e uniformave blu. Madje, për të mos lejuar këtë janë miratuar ligje të standardeve europiane dhe rregullore të reja. A është policia larg ndikimeve politike?
Në themel të veprimtarisë së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit qëndron ligji dhe vetëm ligji, i cili nuk ka ngjyrime politike dhe çdo punonjës policie ka për detyrim të njohë dhe të respektojë me korrektësi vetëm ligjin dhe këtë e këtë e theksoj me vendosmëri.
A është transparent procesi i emërimeve, lëvizjeve, qarkullimeve të kuadrit në Policinë e Shtetit?
çdo lëvizje aktuale në strukturat e Policisë së Shtetit është bërë në transparencë të plotë, bazuar në “Ligjin për Policinë e Shtetit” dhe mbi kritere tërësisht profesionale. Të gjitha lëvizjet e kryera dhe që do të kryhen në të ardhmen, si synim të vetëm do të kenë vlerësimin e njeriut të aftë profesionalisht dhe të kualifikuar, si dhe përmirësimin e performancës së strukturave policore e rritjen e efikasitetit të tyre.
Mbetet e trashëguar nga e kaluara problemi i rikthimit në detyra i punonjësve të policisë. Si do të zgjidhet ky problem?
Të gjithë ata ish-punonjës policie që përmbushin kriteret e përcaktuara në aktet normative për rikthimin në detyrë, mund të aplikojnë pranë strukturave vendore të policisë për ripranimin e tyre në polici. Të gjitha kandidaturat e paraqitura shqyrtohen nga Drejtoria e Personelit dhe ripranimi i tyre bëhet bazuar në procedurat ligjore, si dhe në varësi të numrit të vendeve vakant e begraundit policor të mëparshëm të secilit nga aplikantët. Ky është një proces që ndiqet në vazhdimësi.
Shqipëria vazhdon të jetë një vend i përmendur nga ndërkombëtarët për kultivimin e kanabis sativës. çfarë po bëhet për t’ua hequr këtë njollë shqiptarëve?
Lufta kundër drogës tanimë ka tregues të performancës në rritje, e shprehur kjo në cilësinë e goditjeve të kryera, si dhe në asgjësimin e rrjeteve apo grupeve kriminale. Ndër treguesit më pozitivë që përmenden për këtë periudhë, krahas treguesve të tjerë, është ulja e ndjeshme e kultivimit të kanabisit me rreth 14 për qind. Statistikat tregojnë se qarqet më problematike lidhur me kultivimin e bimëve narkotike gjatë 2009-s kanë qenë Shkodra dhe Durrësi (rrethi i Krujës) dhe më pas Vlora e Gjirokastra. Karakteristikë e kultivimit ka qenë kultivimi larg zonave të banuara, në vende të fshehura si parcela toke të hapura rishtazi mes pyjesh, në përrenj dhe zona të thella malore. Përpjekjet dhe puna e Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe me të zgjedhurit vendorë do të intensifikohet dhe më tepër gjatë këtij viti, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Edhe këtë viti do të veprohet në dy drejtime, në atë sensibilizues dhe në drejtimin operacional, i cili përfshin monitorimin e të gjithë territorit dhe kryerjen e veprimeve operacionale në terren. është për t’u theksuar se në Drejtorinë e Krimit të Organizuar në bazë të materialeve të disponueshme nga operacionet e realizuara dhe rezultatet e arritura konstatojmë me kënaqësi se janë organizuar e realizuar veprime operacionale të një cilësie dhe inteligjence të lartë, gjë që na bën optimistë që rezultatet do të jenë të larta.
Nga statistikat, në mjaft raste policia shqiptare vepron për realizimin e arrestimeve në bazë të letër-porosive të shteteve të ndryshme europiane. A kanë rezultuar të suksesshme këto bashkëpunime?
Rezultatet pozitive të arritura në luftën kundër kriminalitetit bëjnë që Policia e Shtetit të jetë një partner i besueshëm për policitë homologe të rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.
Operacionet e përbashkëta policore midis strukturave tona dhe atyre homologe kanë qenë mjaft të suksesshme dhe përbëjnë objektivin kryesor në rritjen e besimit dhe kapaciteteve të strukturave tona. Gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar 10 operacione ndërkombëtare në fushën e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim me prokurorinë dhe autoritetet gjyqësore të vendeve të ndryshme nga të cilat: 4 me Italinë; 2 me Gjermaninë; 2 me Zvicrën; 1 me SHBA dhe 1 me Kosovën. Gjatë këtyre operacioneve, në Shqipëri janë arrestuar 15 persona. Po ashtu janë zhvilluar dhe 2 operacione të përbashkëta në fushën e krimit financiar dhe pastrimit të parave, si dhe 1 operacion i përbashkët kundër trafikut të makinave të vjedhura. Ndërkohë që gjatë muajit shkurt u zhvillua një tjetër operacion i përbashkët ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, gjatë të cilit u arrestuan në Shqipëri 5 persona të cilët ishin pjesë e një organizate kriminale që kishte kryer aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike.
Një ndihmesë në shkëmbimin e informacioneve dhe realizimin e operacioneve të përbashkëta kanë dhënë Interpoli, Qendra e SECI-t në Rumani, si dhe oficerët e kontaktit që veprojnë në vendet respektive. Në Shqipëri vepron zyra ndërlidhëse italiane Interforce, si dhe oficerë kontakti e atashe policorë nga Greqia, Franca, vendet nordike, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar etj. Zyra e DEA-s në Romë, gjithashtu luan një rol aktiv në shkëmbimin e informacioneve, si dhe për trajnimin e oficerëve të policisë shqiptare. Ndërkohë dhe Interpol Tirana ka thelluar bashkëpunimin me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në funksion të goditjes së veprimtarisë kriminale e kapjes së autorëve të krimit. Duhet theksuar se rritja e numrit të ekstradimeve jo vetëm që është një drejtësi e munguar që çohet në vend, por njëkohësisht fshehja e elementëve kriminalë në vendet e tjera tashmë s’është më një strehë e sigurt për ta. Ekstradimi i dhjetëra peronave me rrezikshmëri të lartë kriminale, vendosja e pikave të kontaktit me çdo polici homologe, vizitat e dyanshme, trajnimet e ofruara nga homologët për oficerët tanë, aplikimi i metodave më speciale të hetimit e të tjera bashkëpunime janë një tregues i qartë i marrëdhënieve shumë të mira që ne kemi me homologët tanë. Ky bashkëpunim do të rritet akoma më shumë në sajë të larmishmërisë së problematikave dhe kërkesave në rritje të shoqërisë përkundrejt shërbimit policor që dita-ditës po kthehet në nevojë të domosdoshme për çdo qytetar. Homologët janë bërë një pjesë e pandashme dhe e papërjashtueshme e punës sonë. Shkëmbimi i eksperiencave dhe informacioneve për grupet dhe personat që ushtrojnë veprimtari kriminale është shndërruar në një faktor pozitiv dhe frytdhënës në veprimtarinë tonë të përditshme.
#