E Diel, 1 Nëntor 2026

Brazil/ Ministri i Jashtem Haxhinasto firmos 4 marreveshje me homolugun

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u prit në një takim të veçantë nga ministri i Punëve të Jashtme të Brazilit, Ambasador Antonio de Aguiar Patriota. Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në kuadër të organizatave shumëpalëshe, zhvillimet globale dhe në rajonin e Ballkanit.

Para takimit zyrtar, ministri Haxhinasto dhe z. Patriota nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume: marrëveshjen për heqjen e vizave midis dy vendeve, marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme, memorandum mirëkuptimi midis dy Akademive Diplomatike për bashkëpunim reciprok dhe trajnim të diplomatëve, si dhe memorandumin për bashkëpunimin ekonomik.
Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe nënvizoi se kjo vizitë, e cila kryhet në 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, përbën një moment historik për një dinamikë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve. Kjo gjë, tha ai, demonstrohet më së miri nga nënshkrimi i katër dokumenteve, të cilat përbëjnë një bazë të fuqishme për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe midis dy vendeve tona.

Haxhinasto siguroi bashkëbiseduesin brazilian, se Shqipëria është e vendosur për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe, duke mbajtur konsultime periodike, por njëkohësisht edhe në aspektin global dhe shumëpalësh për te gjitha çështjet me interes të ndërsjellë.
Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik, Haxhinasto nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik duhet të forcohet dhe zhvillohet më tej në të ardhmen. "Shqipëria ofron shumë për biznesin brazilian dhe shkëmbimet tregtare janë një drejtim tjetër ku duhet të punohet së bashku. Bashkëpunimi ekonomik duhet të shtrihet në fusha të tilla si turizëm, energji, infrastrukturë, burime natyrore, etj. Investimi në Shqipëri duhet parë në një kontekst rajonal, sepse tregu rajonal po integrohet gjithnjë e më tepër, duke humbur nocionin e tregjeve kombëtare. Shqipëria përbën një qendër për vendet që investojnë në rajon. Bashkëpunimi dypalësh duhet të zgjerohet edhe në aspektin kulturor", tha ai.

Nga ana e tij, ministri Patriota u shpreh se "ky është një moment historik, ndërsa marrëdhëniet midis dy vendeve po zhvillohen me shpejtësi. Këtë gjë e provon më së miri hapja e ambasadave respektive". Dy vendet tona, tha ai, duhet të kapin kohën e humbur ne marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi ekonomik është nje drejtim mjaft i rëndësishëm që duhet të zhvillohet me shpejtësi. Ndërkohe, tha ai, Brazili, me ambasada pothuaj në të gjitha vendet ballkanike, është i angazhuar në këtë rajon gjithnjë e më tepër. Një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit midis dy vendeve është ai në organizatat ndërkombëtare. Mbështetja e kandidaturave reciproke në këto organizata, tha ai, vetëm forcon më tej miqësinë midis dy vendeve.

Duke iu referuar bashkëpunimit midis dy ministrive të Jashtme, z. Haxhinasto vlerësoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin në të ardhmen midis dy akademive diplomatike dhe tha se kjo do të ndihmojë në kualifikimin e diplomatëve shqiptarë, si dhe do të forcojë bashkëpunimin midis dy ministrive.

Në vazhdim, z. Haxhinasto, duke iu referuar Kosovës tha se pavarësia e saj ka forcuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në gjithë rajonin e Ballkanit. Kosova duhet të jetë, tha ai, një çështje që të afrojë më tepër vendet e rajonit dhe jo një çështje ndarjeje. Më tej, ai tha se vlerëson mbështetjen e Brazilit për të patur një rajon, vendet e të cilit ndajnë një të ardhme të përbashkët. Z. Patriota tha se vlerëson se tepërmi integrimin dhe bashkëpunimin midis vendeve të rajonit tonë dhe përshëndeti faktin që të gjitha këto vende po lëvizin në të njëjtin drejtim, gjë e cila do të sjellë ndryshim të rëndësishëm në rajon e më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›