E Diel, 1 Nëntor 2026

Brazil, hiqet fushata online E lumtur, që jam një prostitutë

Ministria braziliane e Shëndetësisë ka hequr nga qarkullimi një fushatë online të titulluar E lumtur, që jam një prostitutë.

Mesazhi ishte pjesë e një programi të gjerë edukimi në lidhje me sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe synonte reduktimin e paragjykimeve ndaj punonjësve të seksit.

Ministri i Shëndetësisë, Alexandre Padilha, tha se nuk e kishte miratuar kurrë këtë reklamim. Nuk besoj se ky është mesazhi i duhur, që ministria jonë duhet të japë tha ai.

Kritikët në Brazil thonë se fushata lavdëronte prostitucionin.

Qeveria braziliane është lavdëruar së tepërmi për programin e saj kundër Sidës, që përfshin shpërndarjen e prezervativëve falas dhe një qasje pragmatike ndaj këtij problemi në një vend me shumicë katoliko-romane.

Por, kjo nuk është hera e parë që fushatat e Ministrisë së Shëndetësisë janë kritikuar. Vitin e kaluar, ministria hoqi një video të prodhuar për periudhën e festimeve të karnavaleve, ku shfaqej edhe një çift gay.

Fushata aktuale e ndërgjegjësimit ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme do të vazhdojë, por pa përmendjen e prostitutave të lumtura. Ajo do të titullohet Nuk turpërohem nëse përdor një prezervativ.

Brazili ka përjetuar një boom në turizmin e seksit në vitet e fundit. Duke qenë se varfëria është përhapur gjerësisht në vend, shumë djem e vajza të reja i futen prostitucionit, që në moshë fare të re.

Autoritetet në nivel federal dhe shtetëror synojnë të adresojnë këtë problem.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›