Brazili: Seleçao, mbrojtja më e mirë në histori
Brazili ka ndryshuar. është shndërruar në skuadrën perfekte. “Seleçao” nuk është më ajo e 30 apo 40 viteve më parë, nuk i lejon më vetes të harrojë se në fushën e lojës luajnë dy ekipe që kërkojnë fitoren. Trajneri Karlos Dunga e ka kuptuar me kohë, e rindërtoi përfaqësuesen nga e para dhe nuk u tremb përpara kritikëve kur la në shtëpi disa yje (ashtu si te Holanda, titullarë janë përzgjedhur lojtarët më të mirë në rolet e tyre). Kombëtarja e Brazilit është paraqitur në Afrikën e Jugut 2010 me repartin difensiv më të mirë të të gjitha kohërave: një portier që jep siguri (Zhulio Sezar), dy mbrojtës krahu që mbështesin aksionet sulmuese (Maikon dhe Bastos) dhe dy mbrojtës qendre (Lusio e Zhuan), të cilët janë të pakalueshëm në lojën një kundër një dhe mbi të gjitha dinë të shënojnë. Më pas vijnë dy mesfushorë përpara mbrojtjes, një mesfushor krahu, një organizator, një sulmues krahu dhe një sulmues kryesor; të gjithë lojtarë të aftë të japin asiste dhe të realizojnë gola. Mungon spektakli, por Dunga kërkon pragmatizëm dhe rezultate.
#