E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili kthen Anglinë e Kapelos me këmbë në tokë

Një sfidë plot emocione dhe spektakël në “Kalifa Stadium”, në të cilën brazilianët ishin gjatë gjithë kohës në kërkim të golit. Skuadra e Karlos Dungës pati disa raste të pastra në pjesën e parë me Kaka, Luis Fabianon dhe Nilmar, por asnjëri prej tyre nuk u tregua i saktë para portës.

Vetëm dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Brazili kalon në epërsi me anë të Nilmar. Sulmuesi i Vijarealit mposhti me kokë portierin Ben Foster, pas një pasimi të Elanos nga mesi i fushës. Ky është goli i shtatë në nëntë ndeshjet me fanellën verdheblu për 25-vjeçarin.

Por “samba” braziliane nuk di të ndalet, pasi në të 56-tën është përsëri Nilmar që pengohet në zonë nga portieri anglez. Megjithatë, nga pika e bardhë sulmuesi i Seviljes, Luis Fabiano, tregohet i pasaktë, duke e dërguar topin mbi tranversë. Gjithashtu, skuadra e Dungës shkoi përsëri pranë golit me kapitenin Lusio, por gjuajtja nga distanca me të majtën e mbrojtësit të Interit u përplas në shtyllë.

Nga ana tjetër, ekipi i Fabio Kapelos, edhe pse me mungesa të shumta (trajneri italian hodhi në fushë një formacion eksperimental), u shfaq disa herë i rrezikshëm para portës së Hulio Sezar, por as Runi dhe as Xhejms Milner nuk arritën dot të dërgonin topin në rrjetë.

Brazil 1 – 0 Angli (Nilmar 47’)

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›