Breavhearts” sfidojnë Britaninë

Beteja e Bannockburnit është një nga rrëfimet më heroike në historinë e Skocisë. Robert the Bruce, mbreti i skocezëve, në këtë vend së bashku me luftëtarët e tij priti në vitin 1314 ushtrinë tri herë më të madhe invaduese të mbretit të Britanisë, Edwardit II. Falë taktikës, skocezët arritën të mposhtin anglezët. Fitorja hapi rrugën për pavarësimin e Skocisë-dhe u bë burim i inspirimit për mitin Breavehart.
Sot Skocia ka sërish një mbret, edhe pse ai nuk guxon të cilësohet si i tillë. Emri i tij është Alex Salmond, është kryetar i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) dhe që nga viti 2007 shef i qeverisë rajonale të Skocisë. Që nga viti 2010, ai qeverisë me një shumicë absolute në Edinburgh.
Me rastin e 700 vjetorit të Betejës së Bannockburnit, Salmondit i është kujtuar një gjë e veçantë: pesë milionë skocezët në vitin 2014 duhet të vendosin në referendum për pavarësimin e vendit të tyre nga Mbretëria e Bashkuar. Këtë premtim ai e bëri gjatë fushatës zgjedhore dhe tani ai synon ta përmbushë atë.
Ky plan radikal nuk është pritur aspak mirë në Londër, qëndrim ky i cili nuk befason askënd. Në Westminster Salmond konsiderohet si ngatërrimtar, pikërisht siç konsiderohej dikur Robert the Bruce. Megjithatë, ai merret seriozisht, më së largu që nga fitorja e tij në vitin 2010.
Tani personalisht kryeministri i Britanisë, David Cameron, po përpiqet që ta manovrojë Salmondin jashtë lojës. Në fillim të javës, Cameron theksoi se qeveria rajonale e Skocisë nuk ka të drejtë që të shpall referendumin krye në vete. Për çështjet kushtetuese përgjegjëse është qeveria qendrore në Londër. Megjithatë, Cameron i bëri Salmondit një ofertë: ai mund të organizojë referendumin me bekimin e Londrës, nëse përmbushë dy kushte.
Së pari, referendumi duhet të zhvillohet brenda 18 muajve dhe së dyti, votuesit skocezë duhet të kenë vetëm dy opsione: A duhet të mbetet Skocia pjesë e Mbretërisë së Bashkuar-Po ose Jo.
Me këtë iniciativë, Cameron synon të krijojë sërish përparësi. Së fundi, kryeministri nuk mund të lejojë që t’i nënshtrohet një udhëheqësi rajonal. Dhe Cameron beson se skocezët do të votonin në favor të mbetjes në Mbretëri, nëse duhet të zgjedhin mes këtyre dy përgjigjeve. Në anketa, rreth dy e treta e skocezëve në vazhdimësi janë shprehur se dëshirojnë të mbesin pjesë e Mbretërisë. Në këtë mënyrë, kështu së paku llogarit Cameron, çështja për pavarësimin e Skocisë do të zgjidhej në mënyrë demokratike dhe Salmond nuk do të mund të luante më rolin e luftëtarit për liri.
Por Salmond as që e ka ndërmend që t’i nënshtrohet kërkesave të Cameronit. Qeveria e Skocisë ka të drejtë të organizojë referendumin ashtu siç dëshiron ajo, deklaroi Salmond të martën. Si datë të preferuar për mbajtjen e referendumit ai e përmendi vjeshtën e vitit 2014.
Kjo periudhë do të ishte e mjaftueshme për t’u përgatitur si duhet, ngase bëhet fjalë për çështjen më të rëndësishme politike në Skoci në 300 vitet e fundit, shpjegoi Salmond. Ai gjithashtu nuk synon që ta kufizojë referendumin në përgjigjet po apo jo, por që bashkëkombësve të tij t’iu mundësojë edhe një opsion të tretë: më shumë pavarësi për Skocinë, e që nënkupton më shumë pushtet për qeverinë rajonale.
Më shumë pavarësi nga Londra, pa hequr dorë nga përfitimet e të qenit anëtar të Mbretërisë, kjo në veshët e skocezëve tingëllon si një zgjidhje optimale dhe do të mund ta siguronte shumicën në referendum.
Qeveria laburiste e Tony Blairit në vitin 1998 ja lejoi skocezëve krijimin e parlamentit të tyre në Edinburgh. Me këtë vendim, Blair kishte shpresuar se do të ndalte lëvizjen për pavarësi. Në vend të kësaj, separatistët u forcuan edhe më shumë.
Çështja tani është sa a e ka Salmondi guximin e duhur, për të organizuar referendumin pa bekimin e Londrës-dhe se a ka guxim Cameroni që të përballet me qeverinë skoceze në gjykatë. Në rast nevoje, Cameron mund t’ia imponojë skocezëve referendumin sipas kushteve të tij.
Nga këndvështrimi politik, kjo do të ishte një gjë jorealiste, duke pasur parasysh historinë e vështirë mes dy kombeve. Qysh tani Cameron po akuzohet nga skocezët se me propozimet e tij për referendum po përzihet në punët e brendshme të Skocisë. Kjo akuzë në njëfarë mase është absurde, ngase ai është edhe kryeministër i Skocisë dhe është përgjegjës për ruajtjen e Mbretërisë. Por ai duhet të jetë i kujdesshëm, nëse synon të bindë skocezët. Konservatorët nuk janë aspak të adhuruar në Skoci, në zgjedhjet e kaluara ata fituan vetëm një ulëse atje.
Është vështirë të paramendohet se shumica e skocezëve do të fitojnë për daljen e vendit të tyre nga Mbretëria e Bashkuar. Nëse do ta bënin këtë, atëherë ata do të duhej të hiqnin dorë nga shumë përfitime, të cilat vijnë nga Londra, e do të duhej të shkëputeshin edhe nga simbolet tjera identifikuese: Salmond do të dëshironte të mbante Mbretëreshën si kryesuese të vendit, por çfarë do të ndodhte me flotën Mbretërore, sistemin e shëndetësisë NHS apo BBC-në. Për këtë arsye, unionistët në Londër shpresojnë se në fund do të ngadhënjejë pragmatizmi i skocezëve. Përfaqësuesit e konservatorëve dhe të laburistëve në Britani gjithmonë kanë theksuar:”Mbretëria e Bashkuar është unioni më i suksesshëm politik në histori”.