E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti n’mot

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka folur hapur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale për vitin tjetër. Këtë e ka ndërlidhur me mandatin shtesë që prite t’i jepet Komisionit për ndryshimin e kompetencave të Presidentit. LDK dhe AAK kanë thënë se duhet të respektohet orari për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të shefit të shtetit.

Zgjedhjet presidenciale mund të mbahen vitin e ardhshëm.

Ky është paralajmërimi i parë zyrtar i dhënë nga Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mërkurën, Krasniqi ka njoftuar se është pranuar kërkesa për zgjatjen e mandatit të Komisionit për ndryshime kushtetuese, i cili ka kërkuar që të ndryshohet edhe neni për kompetencat e presidentit.

Me mandatin shtesë të Komisionit, Kryeparlamentari e ka lidhur edhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve për shefin e shtetit.

“Ndoshta zgjedhjet nuk do të mbahen në këtë vit, duhet të bëhet një amandamentim i plotë i Kushtetutës dhe zgjedhjet të mbahen ashtu siç e parasheh Kushtetuta. Nuk do të duhet të nguteshim, por na duhet një dokument bazik i shtetit dhe jo ta ndryshojmë çdo 6 muaj, e kjo varet nga partitë dhe Kuvendi”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se prekja e nenit 84 të Kushtetutës do të reflektojë edhe te prekja e disa neneve tjera që duhet të ndryshohen njëkohësisht.

Megjithëse në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës është debatuar më shumë se një orë në lidhje me kërkesën për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Arsim Bajramit, që nuk ka qenë e plotë, porse u është dërguar deputetëve për miratim në seancën e 20 janarit.

Ndryshimi i nenit 84 po bëhet me qëllim të qartësimi të kompetencave mes Presidentit dhe Kryeministrit dhe është përkrahur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, jo edhe shtyrja e zgjedhjeve presidenciale.

“Ne jemi që të bëhet amandamentimi për nenin 84 të Kushtetutës, kjo pjesë të ndryshohet si edhe nëse ka eventualisht ndikim edhe në ndonjë nen, edhe ajo mund të bëhet. Sidoqoftë, përsëri jemi të bindur se kjo nuk duhet të merret si pretekst për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale”, ka shefi i Grupit parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri.

Megjithëkëtë, marrëveshja e arritur mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit ka paraparë që zgjedhjet presidenciale të mbahen më së largu në vjeshtën e këtij viti.

Pro shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale është shprehur kryeministri Hashim Thaçi, i cili në një tubim vitin e kaluar në Drenicë ka thënë se nuk duhet të ngutemi me zgjedhje për president.

“Ju mos u ngutni me i dhanë zor për zgjedhje, se s’dihet kur mbahen”, pati thënë Thaçi.

Marrëveshja për tejkalimin e krizës politike PDK, LDK dhe AKR është përmendur nga shefi i Grupit parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini. Ai ka thënë se ajo marrëveshje duhet të respektohet.

“Meqenëse është marrë një vendim mes partive politike, ato duhet të bëjnë çmos që të zbatojnë atë vendim të vetin, atë marrëveshje që e kanë bërë vetë dhe që zgjedhjet në Kosovë të mos shtyhen. Për Kosovën janë shumë më të rëndësishme zgjedhjet parlamentare se ato presidenciale”, ka thënë Gjini.

Express tashmë ka raportuar për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale në të njëjtën kohë me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, që janë të parapara të mbahen në vjeshtën e vitit 2013.

Ky opsion ishte diskutuar nga diplomatë të akredituar në Prishtinë, me disa përfaqësues të partive politike në Kosovë.

Mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve për President e kishte kundërshtuar më së shumti Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli, i cili ka paralajmëruar se do të kandidojë për postin e shefit të shtetit.

Pacolli pati deklaruar se do të kundërshtojë me çdo formë ndryshimin e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Ambasadorit të SHBA’së, Christopher Dell.

“Nëse ndodh shtyrja e zgjedhjeve, ajo është jashtë marrëveshjes dhe ajo i bie që partnerët që janë nënshkrues të marrëveshjes, nuk e kanë mbajtur fjalën. Ne kurrsesi nuk do të jemi dakord me këtë dhe këtë e them në mënyrë shumë të qartë”, pati thënë Pacolli për Express.

Marrëveshja Thaçi- Mustafa- Pacolli, e arritur në prill të këtij vitit 2010, parasheh mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale jo më vonë se 9 muaj pas ndryshimeve kushtetuese, të cilat pritet të miratohen në seancat e radhës së Kuvendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›