E Diel, 1 Nëntor 2026

Breçani pezullohet nga detyra: Nuk bëj thirrje që bien ndesh me ligjin, s'kam asgjë me Ramën

TIRANË- Pezullohet 1 muaj nga detyra zv/drejtori për rendin dhe sigurinë në Tiranë, Erzen Brecani. Vendimi është marrë nga kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, një ditë pas publikimit të një statusi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ku kreu i PS-së etiketohej si “Hitler dhe Enver Hoxha i dytë”.

Zv/drejtori për rendin dhe sigurinë në Tiranë deklaroi sërish sot se shkrimi i publikuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook” nuk është publikuar prej tij. Në një konferencë për shtyp, Breçani tha se nuk bën thirrje që bien ndesh me ligjin, ndërsa nënvizoi se nuk ka asgjë me kryetarin e PS-së.

“E kam pritur pezullimin nga detyra, derisa të sqarohen rrethanat. Unë Erzen Brecani nuk bëj thirrje që bien ndesh me ligjin. Unë Erzen Breçani, punonjës policie prej 20 vitesh, jam përpjekur dhe kam realizuar me përgjegjësi ligjore dhe profesionale të gjitha detyrat që më janë ngarkuar. Përgjatë përmbushjes së detyrës time, kam respektuar në çdo rast vetëm ligjin. Veprimet e mia u politizuan nga Partia Socialiste. Në faqen time të FB ka dalë shkrimi, por sektori i krimeve kompjuterike do të hetojë. Me liderin e PS-se nuk kam asgjë. Kam komunikuar në telefon me të. Jam në shërbim të komunitetit dhe në shërbim të Edi Ramës. Kam qenë dhe do të jem ,jua siguroj këtë”- deklaroi Breçani.

Në mesazhin e publikuar në faqen e Breçanit në "Facebook" u bëhej thirrje të gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike që ashtu siç bënë në vitin 1991, të ngrihen për të larguar kryeministrin e ardhshëm Edi Rama.

"Lidhur me rastin e bërë publik nga media, që bën fjalë për një postimin në faqen personale të Facebook të Z. Erzen Breçani, dje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin nga detyra, për një afat 1 mujor, të Zv/Drejtorit për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, Z. Erzen Breçani. Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka marrë në shqyrtim rastin në fjalë", - thuhet në njoftimin për media të policisë.

Brecani i cili aktualisht mban postin e zv/drejtorit për rendin dhe sigurinë në Tiranë ka pasur jo pak incidente me Partinë Socialiste, ku mund të përmendin përplasjen e me deputetin Saimir Tahiri pas përleshjeve mes policisë dhe banorëve të një pallati në zonën e ‘Petro Nini Luarasit’, pasi përmbaruesi privat tentoi ti nxirrte jashtë banesave. 

Ndërkohë, që kreu i PS-së Edi Rama dhe selia rozë kanë sulmuar vazhdimisht Policinë e Shtetit si të implikuar me 'kupolën e krimit' në vend.

POSTIMI  NE FAQEN E BRECANIT NE 'FACEBOOK'
“Përshëndetje liderit historik të shqiptarëve Doktor Sali Berishës e duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistave me në krye Edvin Ramen ta largojmë këtë Enver të dytë ne që dikur studenta të ‘91 shembëm diktaturen Enveriste do gjejmë forcë dhe optimizem do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët”, shkruan Brecani.
Por, sapo postimi i tij në Facebook ka marrë dhenë e ka bërë bujë, zv/drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani ka reaguar duke sqaruar se nuk e ka shkruar ai këtë postim. Breçani thekson se “faqja në Facebook është imja, ndërsa komenti jo. Shpesh e lë faqen hapur, dhe besoj se e ka shkruar dikush tjetër”.

(e.m/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Breçani: Të ngrihemi kundër ‘Enverit' të dytë, Edi Rama. Reagon Tahiri: Të shkarkohet militanti i Berishës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›