Bregu: Dorëzuam pyetjet shtesë në Komisionin Europian
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka konfirmuar mbërritjen e ekspertëve të Komisionit Europian për kushtet shtesë në lidhje me liberalizimin e vizave. Në një konferencë për shtyp, Bregu tha se ashtu siç ishte parashikuar, qeveria dorëzoi brenda afateve përgjigjet e pyetjeve shtesë të pyetësorit europian, që kanë të bëjnë me çështje të korrupsionit e sigurisë. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se me këtë pjesë të dokumentit u përmbushën detyrat e caktuara nga Brukseli. Sipas saj, kriza nuk ndikoi në procesin e integrimit, por përgjegjësitë e atyre që tentuan ta pengojnë nuk mund të mbulohen. Duke shpjeguar punën në terren të ekspertëve, Bregu tha se misionet janë ndarë dhe janë planifikuar nga Komisioni Europian. Misionet e para kanë qenë për kriterin ekonomik, ka pasur misione që kanë bërë vizita në terren edhe në biznese shqiptare për të parë përputhjen mes përgjigjeve sesi funksionon sistemi tatimor në Shqipëri, i akcizave, ruajtjen apo depozitimin e mallrave të caktuara. Gjatë 4 misioneve të para ka pasur vizita në pika doganore, në Parlament, për të parë mënyrën e funksionimit të komisioneve parlamentare, sesi ato bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Misionet që po operojnë këto ditë në terren janë misione të përqendruara kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kanë pasur takime me strukturat në Shqipëri, nisur nga Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, gjykatat dhe misionet e tjera që vijnë në fund të muajit.
#