E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende asnjë datë për dekretet e Presidentit

Kuvendi s’ka futur në kalendar seancën dëgjimore me 3 gjyqtarët

Në axhendën e diskutimeve të djeshme, në Komisionin e Ligjeve sërish nuk është vendosur dita e nisjes së seancave të pyetjeve për tre anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në komision mësohet se kanë mbërritur edhe dokumentet shtesë, si dhe janë depozituar pyetjet në drejtim të tre gjyqtarëve të dekretuar nga Presidenti. Pas konsultimit edhe me anëtarët e komisionit, kreu i tij, Ilir Rusmali, do të vendosë caktimin e serisë së seancave dëgjimore me tre anëtarët e dekretuar, Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj, ku pritet që përveç dosjes së sjellë nga Presidenca, do të shikohen edhe dokumente të tjera të gjetura në institucionet ku tre gjyqtarët kanë punuar gjatë viteve. Javën e kaluar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke emëruar tre juristë që nuk kanë pasur një “background” politik në kohën e regjimit komunist, por ka dekretuar një nga emrat që dy vjet më parë është rrëzuar nga mazhoranca. Bëhet fjalë për gjyqtarin Medi Bici, i cili bashkë me Vexhi Muçmatajn dhe Sokol çomon janë dekretuar nga kreu i shtetit si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka deklaruar tri ditë më parë se respekton të drejtën e Kuvendit që të vendosë për kandidaturat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke theksuar se edhe ai ka të drejtën kushtetuese në emërimin e tyre. “Do të respektoj çdo lloj vendimi që vjen nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky është një proces që vazhdon, që përsoset. Tani këto kandidatura kanë shkuar atje. I takon Kuvendit. Nuk mund të bëj asnjë lloj promocioni për askënd dhe patjetër që do pres vendimin, të cilin do e marrë Kuvendi. Duhet të mësohemi se në demokraci pushtetet funksionojnë në këtë mënyrë”, tha Topi. I pyetur nëse kriteret e mazhorancës që rrëzuan Vangjel Kostën do të gjenin zbatim në emërimet e reja, përgjigjja e Presidentit ka qenë: “Po t’i referohemi Kushtetutës, Presidenti, në rastin e dekreteve, ka të drejtën t’i paraqesë në mënyrë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë kandidaturat, në rastin konkret për në Gjykatën e Lartë dhe për në Gjykatën Kushtetuese.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›