Bregu: Fitoi e djathta. Do të anëtarësojmë Shqipërinë në BE

Zëdhënësja e Fushatës së Partisë Demokratike Majlinda Bregu konfirmoi pak minuta më parë në një konferencë për shtyp nga selia blu se “ në bazë të të gjitha llogaritjeve në rang kombëtar konfirmohet fitorja e koalicionit “ Aleanca për Ndryshim”. Bregu tha se “ në Shqipëri kanë fituar standardet në këto zgjedhje" duke shtuar se "gjithashtu ka fituar edhe koalicioni qeverisës, i cili është votuar në maxhorancë nga qytetarët shqiptarë që kanë votuar më 28 qershor”. “ Nuk ka asnjë dyshim që maxhoranca e djathtë aktuale do të qeverisë Shqipërinë edhe në mandatin e dytë në katër vitet e ardhshme”, tha Bregu.
Deklarata e plotë
Pershëndetje të gjithëve që jeni duke ndjekur lajmin e konfirmimit për fitoren e dyfishtë nga selia blu, fitoren e standardeve europiane të zgjedhjeve në Shqipëri dhe fitoren e sigurt të koalicionit qeverisës, i cili është votëbesuar në mazhorancë nga qytetarët shqiptarë që kanë votuar në datën 28 qershor.
Nuk ka asnjë dyshim tanimë, në të gjitha përllogaritjet që mazhoranca aktuale dhe koaliconi “Aleanca e Ndryshimit” do të qeverisin Shqipërinë edhe për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.
Prandaj ju faleminderit të gjithëve atyre që na kanë votuar.
Ftoj KQZ-në dhe të gjitha Institucionet e tjera si dhe KZAZ-të që të përfundojnë procedurat e fundit të numërimit të votave dhe përllogaritjet finale zyrtare për të konfirmuar zyrtarisht atë të cilën unë po ju them paraprakisht nga selia e Partisë Demokratike, fitoren e Koalicionit qeverisës në Shqipëri.
Sa mandate keni si Koalicion?
Në të gjitha përllogaritjet që bëjmë, të jeni të sigurt që kemi 71 mandate.
A do të jetë stabël ky Koalicion ?
Koalicioni që do të qeverisë Shqipërinë do të jetë një koalicion stabël dhe i Shqipërisë europiane.
...