A do të ketë ‘të majtë’ pas katër vjetësh?

Në mandatin e fundit të pushtetit demokrat të Berishës e djathta shqiptare arriti rezultate kolosale, që kësaj here joformalisht mund t’i quajmë historike: punësimi, tregu i lirë, furnizimi me rrymë dhe ujë, rritja e standardit, ndërtimi grandioz i Shqipërisë, ringjallja e bujqësisë së falimentuar, pranimi i aplikacionit për anëtarësim në BE, si dhe ajo më e arritshmja - Shqipëria definitivisht në Perëndim - e arritshmja që quhet - NATO. Më historike se të gjitha këto që përmendëm më lart është ndërtimi i vetëdijes nacionale shqiptare, e kjo u arrit gjatë katër vjetëve të fundit, më shumë sesa kurdoherë që 60 vjet. Më në fund zyrtarët shtetërorë të Shqipërisë patën guxim për herë të parë pas 100 vjetëve që ta përmendin (dhe ta premtojnë) “bashkimin kombëtar” dhe kjo përmendje qëlloi në tribunën djathtas! Majtizmi shqiptar i Goran Bregoviqit, hipoteka e Partisë së Punës, asnjëherë programatisht nuk është distancuar nga “vepra e lavdishme e partisë” komuniste shqiptare, po përkundrazi, hera e fundit në Pezë, Edi Rama mbajti miting me simbolet e Partisë së Punës dhe me fotografitë e “klasikëve të marksizmit” shqiptar. Kur u kritikua për këtë “festival komunist të Pezës”, në disa media “të qendrës”, të cilat e kritikuan ashpër “lavdërimin e marrëzisë” së Ramës, ai nuk denjoi as të përgjigjej, që do të thotë - injoroi kritikën, e cila e dëshmoi dhe e vërtetoi Ramën si një pasardhësin më të denjë të Enverit (bashkë me konkubinat e tjera të kuqe). Edhe gjatë ditëve të fushatës (në fund të saj) Rama midis Tirane e “prezantoi” Papandreun “legjendar” të majtizmit grek, i cili midis Tirane shprehu nervozë kundër Sali Berishës dhe djathtistëve shqiptarë. Ne këtu në Kosovë, disa herë kemi shkruar se majtizmi në Shqipëri nuk ka të ngjarë me majtizmin modern evropian, por me atë të Toliatit dhe Bilinguerit. Një tip i këtillë majtizmi është tejkaluar në Evropë që në fillim të viteve ‘70 të shek. të kaluar, edhe pse brenda “modernes së majtë” evropiane, ende frymojnë gjallë fosilet staliniste, që shihen në mënyrë transparente nga programet e tyre për “aleancë të shpejtë” me Lindjen (Rusinë) si dhe nga antiamerikanizmi i tyre transparent. Ku e ka qendrën sot lufta politike kundër globalizmit, e sidomos kundër Rendit të Ri Botëror? Rezultatet “e ngushta” të zgjedhjeve 2009 janë një dëshmi se faza e tranzicionit politik në atë vend, megjithatë ende nuk ka përfunduar tërësisht, ende shihet një masë ideologjikisht e indoktrinuar, për arsye se vetëdija nacionale që është ndërtuar për katër vjet, ende po përballet me rojat e sistemit joklasor (monist, komunist) dhe dëshmon se në Shqipëri ende ka politikë që bëhet instrument i ideologjisë, ideologji që përpiqet t’i frenojë proceset evolutive zhvillimore të shoqërisë shqiptare. Ende shihet ndikimi ideologjik i grekërve dhe serbëve në strukturën e një pjese minorance të klasës së kuqe politike. Ky klerikalizëm ortodoks grek dhe kjo nostalgji idolatorike pansllaviste serbe, të cilën e ka mbjellë në shpirtin e kuq Politbyroja e Enver Hoxhës bashkë me Miladin Popoviqin, do të zhduken definitivisht gjatë këtij mandati katërvjeçar, sepse për katër vjetët e ardhshëm, e djathta do ta ndërtojë Shqipërinë, kurse e majta do të insistojë përsëri ta mbajë gjallë kufomën e ideologjisë së Pezës, atë ideologji e cila tashmë ka perënduar, madje edhe në pjesën bukur të madhe të Evropës dhe e cila është e gjallë vetëm edhe në Serbi dhe në Greqi. Majtizmi ballkanik është një organizatë e Brigadave të Kuqe (jo më terroriste) por politike, në shërbim të nëntokave staliniste evropiane dhe këto Brigada të Kuqe majtiste ballkanike u shërbejnë majtistëve klasikë të Evropës, si një armatë dhe si një aleancë në luftë kundër SHBA-së, përkatësisht - Rendit të Ri Botëror!
...