E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa kryeipeshkvijve metropolitë: bëhuni barinj shembullorë e forconi bashkimin me Pasardhësin e Shën Pjetrit

Një rast për të zgjatur gëzimin e përjetuar në Festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal: Benedikti XVI e përkufizoi kështu audiencën e mesditës së sotme me kryeipeshkvijtë metropolitë, që dje morën palion. Takimi u bë në Sallën Pali VI në Vatikan e sëbashku me prelatët ishin të pranishëm edhe familjarët dhe shtegtarët nga dioqezat përkatëse. Papa u ndal mbi kuptimin e Palios së Shenjtë, stola që u vihet metropolitëve, simbol i bashkimit që i lidh me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Të ardhur nga çdo kontinent, vuri re Benedikti XVI, kryeipeshkvijtë metropolitë tregojnë fytyrën e Kishës të përhapur në të gjithë botën. Në fjalën e tij, në gjuhë të ndryshme, Papa i ftoi të shfytëzojnë Vitin Meshtarak, që sapo ka filluar për të nxjerrë sa më shumë fryte. Italianëve u tha: “Jemi në fillim të Vitit Meshtarak: duhet të keni kujdes të jeni barinj shembullorë, të zellshëm dhe plot me dashuri për Zotin e bashkësitë tuaja. Kështu, mund të udhëhiqni e t’i mbështesni nxehtësisht meshtarët, bashkëpunëtorët tuaj të parë në shërbimin pastoral, dhe të bashkëpunoni me efikasitet në përhapjen e Mbretërisë së Zotit në tokën e dashur italiane”.

Më pas Papa përshëndeti ipeshkvijtë metropolitë dhe shtegtarët e gjuhës franceze. Ai theksoi se palio është shenjë bashkimi, jo vetëm për ipeshkvijtë: “Qoftë kjo shenjë – pohoi – edhe për meshtarët e besimtarët e dioqezave tuaja thirrje për të konsoliduar gjithnjë e më shumë bashkimin e vërtetë me barinjtë e ndërmjet krejt anëtarëve të Kishës”. Duke u folur shtegtarëve të gjuhës angleze, Ati i Shenjtë theksoi se palio u kujton ipeshkvijve përgjegjësinë për të qenë barinj të grigjës së krishterë, duke ndjekur zemrën e Krishtit. Kryqet prej mëndafshi të zi, vazhdoi në gjuhën spanjolle, u tregojnë ipeshkvijve se duhet të jenë gjithnjë e më tepër të ngjashëm me Jezu Krishtin: “Duke ndjekur gjurmët e Bariut të Mirë, metropolitët qofshin gjithnjë shenjë bashkimi në mesin e besimtarëve, duke konsoliduar lidhjet me Pasardhësin e Shën Pjetrit”.

Një mendim të veçantë, Papa ia kushtoi kryeipeshkvit të Lvivit të Latinëve, duke e falenderuar për shërbimin që i ka bërë Kishës dhe përfundoi duke kujtuar festën e sotme të Protomartirëve të Romës.

Jehonë e madhe në botë për fjalët e Papës mbi përmbajtjen e sarkofagut të Shën Palit/Besimtarët e të gjithë botës dëgjuan dje me emocion të madh fjalët e Benediktit XVI mbi rezultatet e studimit shkencor brenda sarkofagut, që tradicionalisht mbahet si ai ku është varrosur Shën Pali Apostull, në Bazilikën e shenjtit jashtë Mureve. Ekzaminimi i pjesëve të kockave, që u morën prej tij konfirmoi se aty është pikërisht varri i Shën Palit dhe eshtrat brenda tij janë të Apostullit të Popujve. Dje, prof. Ulderiko Santamaria i Universitetit italian të Tushës, një nga ekspertët e studimit, theksoi se të dhënat për datimin e eshtrave, të ekzaminuara me metodën e karbonit 14, janë të pakundërshtueshme. Kryeprifti i Bazilikës së rrugës Ostiense, kardinalin Andrea Kordero Lanxa di Montexemolo thotë: “Rreth një vit e gjysëm më parë, Ati i Shenjtë autorizoi shpimin e një vrime fare të vogël për të hyrë me sondë e për të parë apo analizuar ç’kishte brenda. Kjo u bë në fshehtësi, me qëllim që të mos bëhej reklamë, para se të arrinin konfirmimet. Analiza me mikroskop konfirmoi se brenda sarkofagut kishte pëlhura të rëndësishme liri e veshje të purpurta të qëndisura me fill ari e se kishte edhe eshtra njerëzore. Falë sondës, u morën kampione shumë të vogla. Analiza me karbon 14, bërë nga një institut, që nuk e dinte se nga vinin kampionet, konfirmoi se kemi të bëjmë me një person që ka jetuar ndërmjet shekujve I e II. Përreth tij janë gjetur edhe grimca kemi. E gjithë kjo konfirmon se është një varr i rëndësishëm, i kohës së Shën Palit e duke pasur parasysh traditën historike, duket se ai është pikërisht vendi ku është varrosur Shën Pali. Tani do të bëhen punime të tjera, për të cilat duhet pasur shumë kujdes të mos prishen veprat e artit që ndodhen në Bazilikë. Gjatë vitit paolin, Papa nuk deshi që të punohet, për të mos penguar besimtarët. Do të shihet më vonë. Ky zbulim për fenë e për historinë e Bazilikës ostiense është i rëndësishëm, sepse konfirmon traditën sipas së cilës, varri ndodhet aty që prej 20 shekujsh. Pavarësisht nga ç’ka ndodhur gjatë shekujve: fillimisht u ngrit një Bazilikë kostandiniane, pastaj një e dytë, pastaj një e tretë pas djegjes së vitit 1823, e të gjitha kanë pasur si pikë referimi varrin e Shën Palit, i cili ka qenë një varr i lashtë pagan. Këtu ishte një varrezë pagane me 5 mijë varre, që më pas u shndërrua në varrezë të krishterë e pastaj u mbulua krejtësisht për të ndërtuar Bazilikën dhe abacinë aktuale”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›