Bregu: I kemi ofruar çdo gjë opozitës, por kutitë nuk hapen

Sipas Bregut, respektimi i shtetit të së drejtës nuk mund të nëpërkëmbet nga kompromisi politik
TIRANË - Me gjithë apelin ultimativ të lëshuar nga përfaqësuesit e Komitetit të Stabilizim - Asociimit, se kriza politike duhet të zgjidhet brenda javës së ardhshme, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, përsëriti dje qëndrimin standard të mazhorancës, se kjo e fundit i ka ofruar çdo gjë opozitës, duke nisur që nga shumica në komisionin hetimor parlamentar, por nuk mund të pranojë hapjen e kutive të votimit. Sipas Bregut, mazhoranca e ka ftuar opozitën që të hartojë të gjitha ndryshimet për Kodin Zgjedhor, duke iu referuar edhe rekomandimeve të misionit të monitorimit OSBE-ODIHR. Por, sipas ministres së Integrimit, nuk mundet kurrsesi të kërkohet hapja e kutive të votimit, pasi, sipas saj, kjo do të kërcënonte seriozisht pushtetin gjyqësor në vend. "Gjithashtu, shumica ka ftuar opozitën që të përgatitë të gjitha ndryshimet, që i sheh të arsyeshme për Kodin Zgjedhor, duke adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR për përmirësimin e procesit zgjedhur dhe e rithekson angazhimin e saj për të miratuar këto ndryshime.
Por, respektimi i shtetit të së drejtës nuk mund të nëpërkëmbët nga kompromisi politik. Një akt i tillë do të minonte rëndësinë e vetë shtetit të së drejtës dhe do të kërcënonte pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri", - tha dje Bregu. Ajo ritheksoi se mazhoranca ka treguar vullnetin e saj politik, se është e gatshme të përmbushë çdo kërkesë të ligjshme të opozitës, por jo hapjen e kutive të votimit. "Ju garantoj se shumica parlamentarëve ka demonstruar që është e gatshme të përmbushë çdo kërkesë të ligjshme të opozitës, duke pranuar t'i japë shumicën në Komisionin Parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, si një shprehje e qartë e vullnetit dhe angazhimit politik", - u shpreh ajo. Bregu vuri në dukje se zgjedhjet e fundit parlamentare arritën shumicën e standardeve që kërkonte organizmi i OSBE-ODIHR-it dhe i gjithë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë. Por, pavarësisht kësaj, sipas Bregut, opozita bojkotoi për gjashtë muaj Parlamentin, duke kërkuar rihapjen e kutive. Por, sipas ministres së mazhorancës arritja e kompromisit politik përmes kësaj kërkese do të minonte institucionet e drejtësisë.
"Zgjedhjet e 28 qershorit plotësuan shumicën e standardeve demokratike, sipas raportit të OSBE-së dhe të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë që asistuan në procesin zgjedhor. E megjithatë, për pothuaj gjashtë muaj opozita nuk hyri në Parlament, me pretendimin se bojkoti është rrjedhojë e mosrealizimit të kërkesës së PS-së për rihapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave", - nënvizoi ajo. Edhe pse, disa nga eksponentët e faktorit ndërkombëtar kanë kërkuar hetimin e zgjedhjeve, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, shumica në pushtet e refuzon një kërkesë të tillë duke theksuar se kjo bie ndesh me vendimet e gjykatave.