Prapaskenat e vizitës së Metës në Serbi

Çfarë ndodhi pas dyerve të mbyllura të takimeve me krerët e shtetit serb, pika e fituar në lidhje me Kosovën, vizita në Luginën e Preshevës dhe pretendimi për ekzistencën e minoritetit serb në Shqipëri
BEOGRAD- I ftohti beogradas duket se do të jetë paralelizmi më i mirë i një vizite të ndërlikuar diplomatike të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në kryeqytetin serb. Takime të suksesshme, takime jo dhe aq të frytshme, nënshkrime protokollesh e marrëveshjesh, oferta e kundër-oferta. Gjithçka ndodhi brenda dy ditëve "serbe".
Një vizitë në dukje e thjeshtë sepse në fund të fundit qëllimi ishte nënshkrimi i Protokollit të Bashkëpunimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme, gjë që me plot fjalën mund të cilësohet si minimumi i mundshëm mes dy shtetesh që kanë marrëdhënie diplomatike. Nga ana tjetër, një vizitë tepër e rëndësishme pas shumë vitesh acari mes dy vendeve tona dhe një pjatë të nxehtë në mes, Kosovën. Kësaj pjate të nxehtë i janë shtuar së fundmi edhe dy të tjera, "Shtëpia e verdhë" dhe minoriteti serb.
Lëvizjet e para të shahut diplomatik i takuan palës shqiptare. Pasi shkeli tokën serbe, Meta iu drejtua memorialit të ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç, i vrarë pikërisht shtatë vite më parë nga mafia vendase. Ish-presidenti do të mbahet mend gjatë si një nga politikanët serbë që do të mund të pranonte pavarësinë e Kosovës. Dhe pikërisht Meta u mbështet në këtë fakt që e tha për Xhinxhiç: Falë këtij vizioni dhe kuraje, edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë përparuar, ndoshta jo aq sa do dëshironin shumë si unë.
Gjatë homazheve, Meta u shoqërua nga bashkëshortja e të ndjerit, znj. Ruzhica Xhinxhiç dhe bashkëshortja e tij, znj. Monika Kryemadhi.
Takimet e mëpasshme dhe qëndrimi i diplomacisë shqiptare treguan se kjo nuk ishte një vizitë rutinë por një sinjal për politikën serbe se ajo duhet të ndjekë gjurmët e Xhinxhiç dhe të pranojë të vërtetën, edhe pse e hidhur për ta, Kosova është një shtet i pavarur.
Lëvizja e dytë ishte takimi me presidentin Boris Tadiç. Sipas burimeve nga brenda takimit, ky mund të konsiderohet si tepër i suksesshëm. Tema më e nxehtë ishte Kosova dhe qëndrimet e dy politikanëve kishin disa pika të përbashkëta. E pazakontë kjo në një vend ku pavarësia e Kosovës është një temë tabu. Në fund të takimit, dy politikanët theksuan se ka ardhur koha që Shqipëria dhe Serbia të punojnë më ngushtë për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Integrimi ishte edhe tema e dy takimeve pasardhëse me zv/kryeministrat serbë por pjesa më e fortë ishte lënë për në fund. Edhe pse në moshë disi të re, Meta 41 vjeç dhe Jeremiç 34, ata kishin detyrën e vështirë të thyenin akullin që kishte ngrirë për shumë vjet marrëdhëniet dypalëshe por edhe të diskutonin për një çështje si Kosova.
Në fund të takimit, të dy ministrat dolën së bashku për një komunikim me median. Vizita u cilësua historike dhe e para e një ministri të Jashtëm Shqiptar në Republikën e Serbisë (vizitat e tjera janë kryer kur ishte Serbi- Mal i Zi) por tema e nxehtë u shfaq pak sekonda më pas. Entusiazmi i Jeremiç u zbeh dhe me një fytyrë të trishtë ai u shpreh: "Sot, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë mbajnë barrën e rëndë të mospajtimit politik lidhur me statusin e Kosovës dhe Metohisë për të cilën ndërmjet Tiranës dhe Beogradit ka dallime shumë të mëdha; këto dallime nuk u ngushtuan as në bisedimet tona të sotme". Në këtë pikë Meta dukej i fituar dhe kjo dallohej qartë në fytyrat e dy ministrave të Jashtëm.
Duke shfrytëzuar avantazhin e fituar në tryezën e bisedimeve, Meta hodhi sërish në lojë kartën "Xhinxhiç". "Kryeministri Zoran Xhinxhiç, një njeri që përballoi sfidat dhe kishte vizionin dhe kurajon të kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, në frymën e integrimit rajonal dhe evropian të vendeve tona. Mirëpres dedikimin e autoriteteve serbe, dhe në veçanti, atë të Presidentit Tadiç, i cili m'u konfirmua gjatë bisedimeve tona, për të rritur nivelin e investimeve, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe integrimin shoqëror për minoritetin etnik shqiptar në Luginën e Preshevës, të cilën do ta vizitoj nesër",- tha Meta duke treguar qartë se qëndrimi i presidentit Tadiç kishte disa kundërshti me politikën zyrtare të Jeremiç. Për Tadiç, Kosova nuk është tabu.
Axhenda parashikonte një vizitë në Luginën e Preshevës, aty ku jeton minoriteti shqiptar në Serbi. Në pamje të parë dukej se Serbia kishte lëshuar shumë lehtë terren pasi qëllimi zyrtar i vizitës, nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimit, nuk kishte të bënte aspak me komunitetin shqiptar.
Por pala serbe tregoi se në këtë rast i kishte luajtur mirë fijet e lojës duke shkëmbyer një vizitë në Preshevë me një pretendim të ri karshi Shqipërisë. Sipas Jeremiç, në Shqipëri ekziston një minoritet serb. "Gjendja e minoritetit serb në Shqipëri është me rëndësi jetike. Prandaj, unë shpresoj që minoriteti etnik serb do të gëzojë të njëjtin status si dhe minoriteti etnik shqiptar këtu në Serbi dhe ne do të bëjmë gjithçka që qytetarët e këtij vendi dhe pakicat të jetojnë në paqe dhe begati",- tha Jeremiç duke marrë një pikë të fortë në favor të tij. Kjo u pa edhe nga përgjigjja e Metës: "Për sa i përket çështjes së ngritur nga ministri Jeremiç, për ekzistencën e një minoriteti serb në Shqipëri, qëndrimi i Qeverisë time është shumë i qartë: çështja e ngritur do të trajtohet dhe verifikohet pas regjistrimit të ri të popullsisë, i cili do të jetë shumë transparent dhe konform standardeve evropiane".
Këto deklarata në dukje të thjeshta lënë të kuptohet se në tavolinën e "shahut diplomatik" kemi fituar një pozicion në çështjen e Kosovës por kemi lënë një tjetër në çështjen e minoritetit serb në Shqipëri, i cili në realitet nuk ka ekzistuar kurrë. Një tjetër pozicion që mund të ishte fituar do të ishte ai i "Shtëpisë së verdhë" një miti që po shndërrohet në "kalin e betejës" së serbëve kundër luftëtarëve të UÇK-së dhe Shqipërisë.
Meta:
"Shtëpia e verdhë"? Akuza të pabaza
"Lëshimi" i dytë i Metës ishte një përgjigje e vakët për atë që Serbia e ka kthyer në çështjen "Shtëpia e verdhë". Bëhet fjalë për banesën e përmendur nga Karla del Ponte, ku 300 vetë, kryesisht të burgosur serbë, ishin rrëmbyer dhe dërguar nga Kosova për në Shqipëri, ku organet e tyre u ishin shitur klinikave të huaja përpara se ata të vriteshin. I pyetur nga mediat serbe, Meta dha një përgjigje tepër diplomatike: "Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar shumë hapur dhe në mënyrë shumë transparente për një hetim të plotë, i cili do t'u jepte fund këtyre spekulimeve dhe akuzave. Jam i bindur se ato janë të pabaza". Pak ditë më parë, një tjetër diplomat që ka lidhje me çështjen, ministri i Jashtëm francez Kushner, i cili ka qenë edhe përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dha një përgjigje tepër të fortë. Ai cilësoi gazetarin serb që e pyeti si një të çmendur që do të bënte mirë të shkonte në një spital psikiatrik që ndodhej pranë vendit ku zhvillohej konferenca e shtypit. Për të çështja e "Shtëpisë së verdhë" ishte një idiotësi.