Rrëshqitjet e dheut bllokojnë hekurudhën

LIBRAZHD - Bllokohet për disa orë segmenti nacional Librazhd-Përrenjas. Ndërmarrja e rrugëve ka ndërhyrë me mjetet e saj duke larguar një masë të madhe dheu dhe gurësh që kishte bllokuar një pjesë të hekurudhës dhe aksin nacional. Mësohet se gjatë orëve të natës në vendin e quajtur kthesa e Dragostunjës është shkëputur një sasi e konsiderueshme dheu duke bërë që të ndërpritet qarkullimi i automjeteve. Firma sipërmarrëse ka dërguar të gjitha mjetet dhe punonjësit për largimin e baltës dhe dheut. Deri në mëngjes është e bërë e mundur që të zhbllokohet rruga automobilistike dhe të jetë i qarkullueshëm aksi nacional, ndërkohë që mbetet ende i bllokuar segmenti hekurudhor. Dje linja hekurudhore Elbasan-Pogradec nuk ka funksionuar. Sipas përgjegjësit të punimeve Nure Disha gjatë gjithë kohës po largohet dheu dhe gurët që aksi nacional të jetë i qarkullueshëm, por sasia e masës së rrëshqitshme është shumë e madhe për shkak të ujërave nëntokësorë dhe rrezikohen edhe disa shtëpi mbi hekurudhë. Ndërkohë po vazhdon puna që të jetë i qarkullueshëm edhe segmenti hekurudhor. Kjo pjesë vazhdon të kthehet në problematike sa herë që reshjet vazhdojnë me intensitet. Sipas specialistëve, qëndrueshmëria e këtij territori është mjaft e dobët dhe zgjidhja do të ishte ndërtimi i një prite betoni.