E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Shqipëria, vend kandidat brenda 2010-ës

Administrata do të përballet me pyetësorin e Komisionit Europian. Lajmi konfirmohet nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila sqaron se në këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Parlamentin. Ministrja e Integrimit ka deklaruar se administrata shqiptare është e përgatitur për t‘iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Europian. "Deri më tani, janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur edhe më tej. "Pyetjet fokusohen në kriterin politik dhe ekonomik, çka do të thotë se shumica e pyetjeve do të adresohen në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë. Institucionet që do të kenë ngarkesën më të madhe për sa i përket plotësimit të pyetjeve të kriterit politik, do të jenë Ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti, ndërsa për sa i përket kriterit ekonomik, Ministria e Ekonomisë dhe Financave", tha Bregu. Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel ministrash, ndërkohë që administrata do të jetë e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori. Duke sqaruar procedurat, ministrja Bregu theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat vjen pasi janë vlerësuar përgjigjet e pyetësorit. "Besojmë se Shqipëria mund të jetë vend kandidat brenda vitit 2010", tha Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›