Protestë për votën te prokuroria
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Demokristiane protestuan dje përpara Prokurorisë së Përgjithshme për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, dhe ai i PDK-së, Nard Ndoka, kërkuan dje nga Prokuroria e Përgjithshme të zbardhë atë që ata e quajnë si manipulim i votës së shqiptarëve më 28 qershor. Pavarësisht se janë shprehur në mbështetje të protestave dhe kërkesave të pjesës tjetër të opozitës që udhëhiqet nga Partia Socialiste, Ndoka e Shehi kanë pohuar se nuk do t‘u bashkëngjiten tubimeve të tyre. Dy drejtuesit e partive të djathta thanë se nuk do të tërhiqen në asnjë mënyrë pa arritur të zbardhin manipulimet e procesit të fundit zgjedhor. Në protestën e përbashkët, drejtuesit e PDK e LZHK theksuan se institucioni i akuzës duhet të verifikojë të gjitha faktet e manipulimeve të paraqitura nga këto dy parti. Shehi u shpreh se dokumentet tregojnë vjedhje flagrante, radikale që nuk ka nevojë për shumë hetime. "Ne kërkojmë vullnetin e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme që të mos heshtë, të mos i zvarrisë procedurat dhe të mos veprojë në ndikimin e kësaj mazhorance", u shpreh Ndoka. Dy kryetarët e partive kërkuan nga prokuroria që të zbardhë të vërtetën.