E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: “Statusi kandidat mund të jepet që në muajin qershor”

06-01-2012 / Gazeta 55

“Zgjedhja e Presidentit të mos bllokojë reformat - 12 rekomandimet plotësohen brenda vitit 2012”, tha dje në një intervistë televizive, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu

Kur puna për rishikimin e plan-veprimit për kriteret e BE për statusin e vendit kandidat është në proces, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi se kalendari politik i vitit 2012, ku periudha më rëndësishme është zgjedhja e Presidentit, nuk duhet të përdoret si pretekst për të bllokuar zbatimin e marrëveshjes parlamentare. Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, Ministria e Integrimit do të dorëzoj në Parlament planin e rishikuar për realizimin e 12 prioriteteve të vendosura nga Komisionit Europian. Në këtë plan do të përfshihen zhvillimet më të fundit për realizimin e këtyre detyrimeve, ndërsa do të japë kontributin e tij edhe komisioni Parlamentar i Integrimit. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu thotë se më pas ky plan do të dorëzohet në Bruksel. “Me të gjitha reduktimet, pra me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, me zhvillimin e zgjedhjeve vendore mbeten 10 prioritete. Por duke pasur parasysh që reforma zgjedhore, rregullorja e Parlamentit dhe të gjitha prioritet e tjera janë prioritete bazë për hapjen e negociatave, ky plan veprimi i hartuar mirë dhe me ndihmën e komisionit Parlamentarë të Integrimit do të jetë një bazë shumë e mirë për t’ia dorëzuar Komisionit Evropian dhe për ti treguar për hapat dhe zhvillimet që janë ndërmarrë”, u shpreh Bregu.
Nëse bashkëpunimi pozitë - opozitë do të vijoj, ministrja Bregu nuk përjashton një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat në muajin qershor, kur mblidhen ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian. Por kjo nuk mund të ndodh, thotë ajo, nëse opozita do të tregohet bllokuese, dhe këtu ajo ka në konsideratë edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në mesin e këtij viti. “Sigurisht një konfliktuim apo rikonfliktuim i situatës politike nuk i bën mirë vendit. E vërtetë është ana tjetër, që nuk ka asnjë arsye për t’u konfliktuar më dhe nuk ka asnjë argument që opozita të rëndojë apo të bllokojë dialogun politik, të paktën e shpresoj. E rëndësishme është që zgjedhja e ardhshme e Presidentit, në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit, plotëson detyrimin tonë madhor për të respektuar shtetin ligjor dhe sigurisht për t’ia lënë fjalën e fundit atyre që janë dokumentet kryesore të shtetit, Kushtetutës dhe ligjit”, u shpreh Bregu.
E rezervuar për të folur me data si palë e interesuar, por jo vendimmarrëse në proces, qeveria shqiptare, pret lajme pozitive, të mbajtura peng prej më se dy vitesh nga opozita, nëse dialogu politik vijon dhe besimi mes palëve rritet. Bregu thotë se nuk ka asnjë arsye që dhënia e statusit të mos shoqërohet dhe me hapjen e negociatave për anëtarësim.
Javën e tretë të janarit qeveria pritet të dorëzojë në parlament plan-veprimin e rishikuar, ku Komisioni Parlamentar i Integrimit, i kryesuar nga socialistët do të japë dhe kontributin e tij. Në këtë produkt, theksoi Bregu, nuk do të ketë vend për kontestime, pasi pjesë e grupit të punës do të jenë dhe shoqëria civile dhe ekspertët e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë.
Për sa i përket zgjedhjes së presidentit, mazhoranca ka bërë të qartë se do të zbatohet kushtetuta, duke përjashtuar një president konsensual. Ndryshimet kushtetuese te 2008 për zgjedhjen e kreut të shtetit mundësojnë shmangien kalimit të vendit në zgjedhje të parakohshme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›