Bregu në Kosovë: Vendimi për vizat merret në qershor

Komentet rreth cështjes së liberalizimit të vizave, Bregu i bëri pas një takimi me homologun e saj kosovar Besim Beqaj. “Ne presim shumë shpejt vlerësimin në qershor dhe unë besoj se marrja e vendimit pozitiv është lajmi i parë kryesor i mirë. Data e fillimit të lëvizjes sigurisht që besoj se ka më pak rëndësi se sa marrja e vendimit pozitiv”, shprehet Bregu.
Ministria shqiptare shprehu gadishmërinë për t’i dhënë përkrahjen e plotë ministrisë së sapoformuar të Integrimit të Kosovës. Me këtë rast u nënshkrua një marrëveshje bilaterale me synim ndihmën e Tiranës zyrtare në rrugën e Kosovës drejt integrimit. E pyetur nga gazetarët për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, Ministrja shqiptare e Integrimit tha se Kosova ka të drejtën e saj legjitime që të jetë pjesë e konferencave rajonale si shtet i pavarur.
Duke iu referuar Serbisë e cila vazhdimisht kundërshton pjesëmarrjen e Kosovës si shtet në takimet rajonale, Bregu tha se të humbur janë ata që nuk e pranojnë realtitetin. Në takime të vecanta, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Bregu u prit nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sjeidu dhe kryemnistri Hashim Thaci. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës me këtë rast theksuan se Kosova do të përfitojë nga përvojat e Republikës së Shqipërisë në rrugën e integrimit.