E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda dhe jashtë studios së lajmeve, me Ola Brukon

TIRANE - Ola Bruko, folësja simpatike e lajmeve në “News24” rrëfen në këtë intervistë për “Bluetooth” emocionet që i ka falur fëmija i dytë. A ka ndikuar Kloi në karrierën e saj dhe si e ka pritur i biri, Klesti, ardhjen e motrës në jetë?! Jeta brenda dhe jashtë studios së televizionit numër 1 informativ në Shqipëri, në një intervistë të çiltër për suplementin numër 1 të showbiz-it në Shqipëri…
Prej pak kohësh je bërë mama për herë të dytë… Si ishte rikthimi në punë, largimi nga vajza që është ende 6-muajshe?
Po, është e vërtetë, jam bërë mama për herë të dytë prej 6 muajsh. Rikthimi në punë, në dashurinë time të madhe, në “News24” nuk ishte aspak i vështirë. Kjo, sepse Kloi është një vajzë e mbarë dhe kur unë nuk jam ajo është në duar të sigurta. Kjo më krijon mua mundësinë që të punoj e qetë, duke u zhytur në rutinën gazetareske që unë mundohem ta bëj sa më pasionante, pa e pasur merakun tek vajza ime e vogël.
Si e menaxhon kohën tënde? Sa orë në ditë je spikere e sa orë mami?
Kloi është një vajzë e qetë dhe kjo ma lehtëson shumë punën, sepse edhe gjatë paradites kur vëmendja duhet të jetë tërësisht tek ajo, pasi kam dërguar në kopësht Klestin, unë bëj gazetaren. Jam gjithë kohës me telefon në dorë, duke komunikuar me ata që përbëjnë të ftuarit e mi në orën e pasdites, kur jam në ekran me shikuesit e mi besnikë.
Ankohet familja për mungesën tënde?
Jo, nuk ankohet, sepse e njohin më shumë se kushdo tjetër pasionin për punën e gazetares dhe moderatores së lajmeve. Me fëmijët qëndroj paraditeve, pasdite në “News24” dhe mbrëmja është vetëm për bashkëshortin tim dhe shoqërinë që na bashkohet. Fundjava na bashkon të katërtëve. Nuk mërzitemi, përkundrazi, ritmi na pëlqen shumë, edhe mua, edhe Andit (bashkëshortit tim).
Ishte më e lehtë kur kishe vetëm një fëmijë?
Ju betohem nuk ka ndryshuar asgjë, sepse Kloi nuk të lodh aspak, ndërsa Klesti tashmë është i rritur dhe më ndihmon shumë. Kloi, e cila është një ëmbëlsirë e vërtetë, na e ka zbukuruar edhe më shumë familjen dhe ekzistencën.
Si e ka pritur djali ardhjen e një motre?
Kisha dëgjuar se fëmija i parë xhelozohej për të dytin, por ndoshta kjo ndodh për fëmijët me të njëjtin seks. Klesti e ka ndjekur hap pas hapi shtatzëninë time dhe motrën e ka ndjerë që në barkun e mamit. Gjatë gjithë shtatzënisë i kam folur se shumë shpejt do vinte motra dhe që ne duhej të kujdeseshim për të. Kur Klesti erdhi në maternitet dhe pa Kloin u habit, qeshte, qante, emocion i jashtëzakonshëm për mua, për Andin. Që nga ajo ditë ai jo vetëm që nuk xhelozohet, por kujdeset për të. I jep qumështin me biberon, ujin tani, së bashku e lajmë vajzën një ditë po një ditë jo, pastaj e veshim prapë të dy. Ai ka shumë dëshirë ta veshë, kënaqet shumë Klesti me Kloin.
Po për t’u kujdesur për veten, si ia del?
Kloi është gjithmonë me mua edhe kur unë kujdesem për veten. Pasi kemi dërguar Klestin në kopësht nis të programoj gjërat që kam për të bërë. Çdo ditë duhet të shkoj tek Marks & Spencer, siguroj veshjet e mia për në punë, sepse dëshiroj të jem sa më e paraqitshme për shikuesit e mi në “News24”. Kloi është gjithmonë me mua. Është me mua edhe atëherë kur bëj thonjtë apo lyej flokët. Dhe nuk e keni idenë se çfarë kënaqësie është kur ajo është me mua kudo, se është si karamele.
Gatuan, merresh me punë shtëpie?
Sigurisht që gatuaj. Gatimi im fillon çdo ditë në orën 13:00, në mënyrë që gjithçka të jetë e ngrohtë pas nisjes sime për në punë. Punët e shtëpisë i bëj në mëngjes, hekurin gjithashtu.
Sa e vështirë është të menaxhosh transmetimin direkt?
Ohh, nuk është fare, sepse ajo është dashuria ime. Kënaqem pa fund kur ndodh një ngjarje dhe qëndroj gjatë në studio duke e moderuar atë.
Të duhet shpesh të improvizosh?
Po, patjetër, ndodh shumë shpesh, ajo është pjesë e pashmangshme e punës sonë të përditshme. Nëse nuk bën dot improvizimin, për mendimin tim je vetëm spiker dhe jo gazetar.
Nga lajmet tronditëse sa ndikohesh? Ta prishin ditën, apo i harron kur del nga studioja?
Jo, për fat të keq nuk i harroj, përkundrazi vazhdoj t’i diskutoj edhe jashtë studios së lajmeve. Lajmi i dhënë në “News24” nga kolegu im Spartak Koka për kapjen e një pedofili, i cili dyshohet se ka masakruar një fëmijë dhe abuzuar me të tjerë të mitur, edhe sot e kësaj dite më ka mbetur në mendje. Frika më hyri në palcë. Kjo ndodh ndoshta sepse jam nënë dhe si çdo nënë në këtë botë që do t’i mbrojë të vegjlit e saj, kam merak, por ndonjëherë e keqja është fare pranë nesh dhe ne nuk e kuptojmë. Që prej asaj dite, pasi kemi çuar djalin në kopësht, u telefonoj vazhdimisht edukatoreve të tij, Dhuratës dhe Bukrit, nëse Klesti është mirë apo nëse ndonjë njeri i dyshimtë është afruar në kopësht. Unë i përjetoj shumë ngjarjet, jo vetëm këtë, çdo ngjarje. Më mbetet mendja, i shoh në ëndrra dhe mendohem gjatë se si mund ta ndryshojmë këtë realitet.
Po të ftuarit si sillen? Kanë pretendime? Kërkojnë t’i shikojnë pyetjet para se të dalin live?
Të ftuarit e mi sillen në mënyrë shumë korrekte. Nuk kanë pretendime. Duan të dinë ndonjëherë se për se do t’i pyes, por asnjëherë nuk ka ndodhur që t’ua tregoj pyetjet, sepse çfarë gazetareje do isha pastaj?! Por përveç kësaj, nuk i kam në skaletë asnjëherë, por në kokë.
Çfarë të pëlqen më shumë në punën tënde?
Më pëlqen gjithçka. Jam nga ata njerëz që e dashuroj punën që bëj dhe nuk do ta ndërprisja edhe sikur të bëhesha me 10 fëmijë. Investoj shpirtin në gazetari. Edhe kur nuk jam në ekran, jam duke ndjekur çdo zhvillim të mundshëm nga shtëpia ose kudo që jam. Dua gjithmonë të di më shumë, më shumë, më shumë nga profesioni im, dhe mendoj që, ai që thotë se di gjithçka në këtë profesion, në fakt nuk di asgjë. Andaj dhe kur jam në shtëpi, puna e fundit që bëj para se të më zërë gjumi, kontrolloj mediat vendëse dhe ato të huaja, duke fiksuar çdo detaj që më nevojitet në punën time të përditshme, sidomos nga mediat e huaja. E thënë në mënyrë figurative, gazetaria është ajo pa të cilën nuk do jetoja.

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›