E Diel, 1 Nëntor 2026

U arratis nga burgu, kapet në Rrogozhinë anëtari i bandës së Yzberishtit

TIRANE - Dy ditë pas arratisjes nga burgu i Fushë Krujës, anëtari i bandës famëkeqe të Yzberishtit, Ilir Avdillari, u kap paraditen e sotme në afërsi të Rrogozhinës. Pas informacioneve të mbledhura, policia arriti të zbulonte vendin ku fshihej 42- vjeçari, i cili ishte konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë që ka ikur nga vendi i vuajtjes së dënimit.

I dënuari me 22 vjet burg, Ilir Avdillari, i njohur si një ndër anëtarët e bandave famëkeqe të viteve ‘97-‘98 në Tiranë, ka përfituar një leje me afat 7-ditor, por ai nuk është kthyer brenda afatit të lejes. Avdillari duhej të kthehej dy ditë më parë në Burgun e Fushë-Krujës, kohë kur i përfundonte afati i lejes së dhënë.

Kjo ngjarje i ka kushtuar pezullimin nga puna drejtorit të burgut të Fushë- Krujës, Ligor Prifti. Masa u mor nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra.

42- vjeçari Avdillari dhe vëllezërit e tij, Nazmi e Fatmir Avdillari, kanë qenë ndër krerët e bandës së Yzberishtit në vitin ‘97. Ata janë akuzuar se më 27 janar ’98 kanë vrarë biznesmenin italian Stefano Rossi, pronari i fabrikës “Niki Shoe”. Rossi sapo kishte tërhequr 30 milionë lireta nga Banka Italo Shqiptare dhe është ekzekutuar 100 metra larg fabrikës. Gjithashtu, Avdillari është akuzuar edhe për një sërë veprash të tjera të rënda penale.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›