E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda koalicionit, LSI pro ndryshimeve në qeveri

09/01/2012  Nënkryetari i Kuvendit Vangjel Tavo flet për energji të reja, Kryeministri kundër

Nënkryetari i Kuvendit Vangjel Tavo, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, kërkon ndryshime në kabinetin qeveritar. Sipas tij, nevoja për ndryshime diktohet nga nevoja për energji të reja, sidomos në ministritë që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me qytetarët. “Pa dyshim ka vend për përmirësim të punës në shumë dikastere dhe shpresoj që me vitin e ri të ketë edhe për dikasteret përkatëse dhe drejtuesit e tyre energji të reja. Sidomos në dikastere që janë të lidhura drejtpërdrejt dhe kanë impakt të drejtpërdrejtë te njerëzit, tek elektorati, ka ku të mund të përmirësohet puna e tyre”, - deklaroi Tavo në një prononcim për mediet. Por Kryeministri Berisha, i cili ka tagrin për të bërë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, duket se nuk ka ndër mend të bëjë ndryshime, të paktën tani afër. Në një intervistë televizive tri javë më parë kreu i qeverisë shqiptare mohoi të ketë ndryshime në qeverinë e tij. “Rezultati i zgjedhjeve është treguesi më i mirë. Ndryshimet bëhen kur është e nevojshme të bëhen. Fakti që paraardhësit e mi ndryshuan 74 karrige, ata vendosën moralin e mosqeverisjes”, - iu përgjigj Berisha interesit të gazetarit për ndërrim portofolesh në Këshillin e Ministrave.

Ndërkohë Tavo ka komentuar edhe procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Lidhur me emrin e Fatos Nanos si kandidaturë për president numri dy i Kuvendit shprehet se ish-kryeministri duhet të jetë njëherë anëtar i një partie parlamentare dhe pastaj të sigurojë firmat e nevojshme që të përfshihet në votim. “Para se të vijë faza e votimit, është një fazë tjetër, që është faza e mbledhjes së firmave. Zoti Nano e ka provuar një herë këtë fazë dhe ska arritur të vijë si kandidaturë në Kuvendin e Shqipërisë. Është çështje e PS-së. Ata e kanë edhe numrin e votave ose të firmave që i duhen një kandidati për të kandiduar ose për të ardhur si kandidaturë në Kuvendin e Shqipërisë”,- tha Tavo. Kushtetua e Shqipërisë në nenin 86 të saj përcakton: “Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.” Ndërsa në nenin 87 thuhet: “Kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.”

Kodi Zgjedhor

“Propozime në lidhje me sistemin zgjedhor të bëhen jo për ndryshimin e sistemin, por për një korrektim të mundshëm të këtij sistemi aktual, në mënyrë që të arrijmë maksimumin e mundshëm për të përmirësuar gabimet që ka sjellë kodi i 2009-s, një kod që është bërë nga një komision bipatizan PD-PS, një kod që është propozuar nga PS-ja më 2008-n me qëllimesh për të eliminuar nga skena politike shqiptare LSI-në.”

Kushtetuta

“Presidenti i Republikës është kryetar i sdhtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç. Kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›