E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulen çmimet për marrjen e kartës së identitetit, 300 lekë për pensionistët, 200 lekë për studentët dhe falas për invalidët

Vendimi ka dalë për të përshpejtuar procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, para mbajtjes së zgjedhjeve, por sërish do të mbeten në fuqi sanksionet shtetërore për qytetarët që nuk përmbushin këtë detyrim ligjor

TIRANE - Qeveria shqiptare ka vendosur që ti japë një shtysë të mëtejshme procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e reja të identitetit, duke vendosur uljen e ndjeshme të çmimit për disa kategori në nevojë. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha se vendimi i fundit prek të gjithë pensionistët që kanë pensionet minimale në qytet  dhe të gjithë pensionistët në fshat , të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri me datën 1 maj 2009, për të cilët çmimi i letërnjoftimit do të jetë 300 lekë të reja.

Vendimi i fundit
“Vendimi prek gjithë studentët, për të gjithë  ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë, si dhe për të gjithë ata që deri më datë 28 Qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri më datën 1 Maj 2009, çmimi i kartës do të jetë 200 lekë të reja si dhe për të gjithë personat para dhe tetra, plegjikë si dhe për personat e verbër, letërnjoftimet do të jepen falas”, deklaroi ministri Nishani.
Sipas tij duke filluar nga data 1 Prill 2009 deri më datën 1 Maj 2009 personat që e kanë pasaportën për udhëtim jashtë vendit nuk do të lejohen të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik. Në një kohë që për të gjitha ato komuna ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit, ky vendim do të jetë në fuqi deri më datën 1 qershor 2009.

Masat dhe sanksionet
Vetëm dy ditë më parë zëdhënësi i këtij dikasteri Fatmir Konja paralajmëroi qytetarët se nuk do të përfitojnë asnjë shërbim nga institucionet shtetërore nëse nuk paisen me kartat e identitetit. Konja saktësoi se letërnjoftimi elektronik është një dokument që nuk vlen vetëm për zgjedhjet parlamentare të qershorit, por edhe për të marrë shërbimet e institucioneve shtetërore dhe se “mospasja e kartës së identitetit do të krijojë pamundësinë e marrjes së këtyre shërbimeve për pensionistët, studentët dhe të gjithë qytetarët e tjerë.
Deri në datën 28 mars procesi i aplikimit për letërnjoftime elektronike deri më tani ka filluar në 210 njësi vendore, ndërsa deri në datën 26 Mars kanë aplikuar 350 mijë shtetas, ndërkohë në Qendrën Kombëtare të Personalizimit të të Dhënave janë prodhuar 250 mijë karta identiteti.
Kryeministri Berisha ka kundërshtuar pak ditë më parë propozimin e Partisë Socialiste
për shpërndarjen falas të kartave të identitetit si një tendencë që sipas tij që synon zhvlerësimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm për vendin.

Kompensimi i paralajmëruar
Pavarësisht stigmave periodike opozitës së majtë dhe kryesisht Partisë Socialiste në lidhje me këtë proces, qeveria ka qenë e ndjeshme ndaj impaktit social që ky proces
ka tek shtresa të caktuara të popullsisë. Kështu vetëm dy muaj më parë, saktësisht në 14 janar 2009, Këshilli Ministrave vendosi që të kompensonte një pjesë të pagesës pensionistët, studentët, shtresat në nevojë dhe administratën për pajisjen me letërnjoftime. Konkretisht vendimi parashikonte kompensimin në masën 65-70 për qind të tarifës për shtresat në nevojë dhe studentët, 56 për qind për pensionistët dhe 30 për qind për administratën.
Me tarifat e miratuara asokohe studentët dhe shtresat në nevojë do të paguanin për kartat vetëm 500 lekë, pensionistët 800 lekë dhe punonjësit e administratës 1 000 lekë të reja. Kjo ulje e re e çmimit të kësaj karte duke e reduktuar atë në një çmim simbolik largon çdo alibi për mospajisjen me këtë kartë të gjithë qytetarëve që kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e 28 qershorit.

Vendimi i fundit
 * Për të gjithë pensionistët që kanë pensionet minimale në qytet  dhe të gjithë pensionistët në fshat, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri me datën 1 Maj 2009, çmimi i letërnjoftimit do të jetë 300 (treqind) lekë,

 * Për të gjithë studentët, për të gjithë  ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë, si dhe për të gjithë ata që deri më datë 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri më datën 1 Maj 2009, çmimi i kartës do të jetë 200 (dyqind) lekë,

 * Për të gjithë personat para dhe tetra, plegjikë si dhe për personat e verbër, letërnjoftimet do të jepen falas.

* Duke filluar nga data 1 Prill 2009 deri më datën 1 Maj 2009 personat që e kanë pasaportën për udhëtim jashtë vendit nuk do të lejohen të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik.

 * Për të gjitha ato komuna ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit, ky vendim do të jetë në fuqi deri më datën 1 Qershor 2009.
 

Vendimi i 14 janarit
Shtresave në nevojë t’u kompensohet pagesa për pajisjen me letërnjoftim në shumat, si më poshtë vijon:

a) Në masën 700 (shtatëqind) lekë:
i.  Çdo anëtari të familjes, që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç, si dhe të atyre që e mbushin këtë moshë para datës 30 qershor 2009;
ii. Personave me aftësi të kufizuar, të lindur a të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, që janë mbi 18 vjeç, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar;
iii. Personave, që përfitojnë pagesë papunësie;         
iv. Studentëve.

b) Në masën 400 (katërqind) lekë:
i. Të gjithë personave që përfitojnë pension pleqërie, në fshat apo qytet, të plotë ose të pjesshëm, si dhe pension invaliditeti;
ii.  Personave në ngarkim të pensionistëve, të cilët janë pa të ardhura.

c) Në masën 200 (dyqind) lekë punonjësve të institucioneve buxhetore, me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë, si dhe personave në ngarkim të tyre, pa të ardhura.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›