E Shtunë, 31 Tetor 2026

Breshëri para Universitetit, qëllohet për vdekje i riu

Vendi ku ndodhi atentati ndaj Aleksandër Qarrit

Breshëri automatike para Universitetit të Shkodrës, një i vdekur dhe dy të plagosur, njëri prej të cilëve student. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 08:50, ku një person ende i paidentifikuar, i veshur me uniformë gjahtari, qëlloi me armë automatike mes dhjetëra personash që ndodheshin në atë moment në rrugë. Të shtënat shkaktuan panik, pasi rruga në atë moment ishte mjaft e populluar, më së shumti me studentë, të cilët në atë orar kanë pikun e lëvizjes së tyre. Për pasojë, tre vetë mbetën të plagosur, por njëri prej tyre gjeti vdekjen tri orë më pas në Spitalin e Shkodrës. Policia bëri të ditur se viktima është 24-vjeçari Aleksandër Qarri nga fshati Grilë, komuna Gruemirë e Malësisë së Madhe. Nga breshëria e plumbave mbetën të plagosur edhe dy kalimtarë të rastit, 37- vjeçari Lekë Marku nga Shkodra dhe studenti i universitetit “Luigj Gurakuqi”, Agustin Begeja, 19 vjeç, nga Gjadri i Lezhës.

Gjatë transportimit të viktimës

Të shtënat e armës automatike kanë vënë në alarm Policinë e Shkodrës. Fillimisht në vend mbërriti një patrullë policie “Shqiponja”, që ndodhej afër vendngjarjes, dhe më pas mjete të tjera me efektivë të Policisë dhe të FNSH-së. Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur para Bibliotekës së Universitetit. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan grupit të hetimit se kishin parë dy persona të veshur me uniformë që ngjasonte me atë të gjahtarit. Njëri prej tyre ishte në këmbë, ndërsa tjetri lëvizte me një biçikletë. Ky i fundit ka nxjerrë armën automatike nga çanta dhe për një moment ka ndaluar duke qëlluar me breshëri në mes të dhjetëra personave. Të shtënat i kanë terrorizuar ata, ndërsa autorët kanë përfituar nga rrëmuja e krijuar dhe janë larguar, njëri me biçikletën që ishte dhe tjetri në këmbë mes rrugicash. Kur autorët janë larguar, dëshmitarët e gjendur në vend kanë parë tre persona të shtrirë përtokë. Ata u kanë ardhur menjëherë në ndihmë duke i dërguar në spital, por për shkak të një plumbi që kishte marrë në bark, 24-vjeçari Qarri gjeti vdekjen. Në momentin që u qëllua ai po hapte një lokal të lojërave të fatit, ku ishte i punësuar. Policia sekuestroi në vendin e ngjarjes 20 gëzhoja, ndërsa disa metra më tej, në lulishten përbri rrugës nga ana e Bibliotekës së Universitetit, u gjet një çantë dhe një automatik kallashnikov që është përdorur nga autori. Ato iu dërguan laboratorit të kriminalistikës për ekspertizën përkatëse dhe fiksim të mundshëm të gjurmëve. Nga hetimet paraprake, viktima dhe dy të plagosurit (këta të fundit kanë marrë plagë në këmbë) rezultojnë të mos kenë konflikte dhe as probleme hasmërie. Këtë fakt e kanë pohuar edhe të afërmit e tyre. Policia bëri të ditur se po heton në dy pista, ku shënjestra dyshohet të ketë qenë 24-vjeçari Qarri për shkak të konflikteve ende të panjohura. Dhe pista e dytë që e bën akoma më të rëndë ngjarjen është dyshimi se shënjestër të këtij atentati nuk ka qenë as viktima dhe as të plagosurit, por një person i katërt që ka qenë pjesë e dhjetëra personave që po kalonin dje në rrugën ku ndodhi krimi. Deri në orët e mbrëmjes, policia shoqëroi 15 persona, të cilët janë marrë në pyetje. Ndërkaq, hetimet paraprake kanë konkluduar se autorët nuk kanë qenë vrasës profesionistë. Kjo bazuar nga mënyra e shpërndarjes së plumbave.

Familjarët e Qarrit mohojnë konfliktet
Familjarët e 24-vjeçarit të vrarë janë marrë në pyetje për konflikte të mundshme të të riut apo nëse ata kanë probleme hasmërie. Por ata kanë mohuar çdo dyshim të policisë, duke e bërë akoma dhe më të vështirë identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e krimit të rëndë. Siç mësohet, edhe të afërmit e të plagosurve kanë e mohuar konfliktin. Policia, veç pistave të krimit për ndonjë hakmarrje apo konflikti, ka hedhur dyshime se shënjestra e atentatit mund të ketë qenë dikush tjetër, kalimtar në rrugë.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›