Fillon mbikëqyrja e të dënuarve me mikroçip

Dje gjatë prezantimit të projektit të mbikëqyrjes elektronike
Ministria e Drejtësisë përuroi dje projektin e mbikëqyrjes elektronike. Përmes këtij projekti, të dënuarit me dënime alternative (jo burg), ose personat me masa sigurie “arrest shtëpiak”, mund të mbikëqyren falë një pajisjeje elektronike me mikroçip GPS që lidhet në trupin e tyre. Në fjalën e tij në ceremoni, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u shpreh se ky sistem ul në mënyrë të ndjeshme shpenzimet miliona euro për ruajtjen dhe trajtimin e të dënuarve, por edhe të arrestuarve në banesa. Sipas ministrit, fillimisht sistemi do të përdoret te Shërbimi i Provës për rastet e “arresteve shtëpiake”, për të shmangur përfundimisht arratisjet e personave që kanë këtë masë sigurie. Në vijim, sistemi do të përdoret edhe për personat në shërbim prove për përdorim të lëndëve narkotike, në mënyrë që ata të mos u afrohen shkollave; për personat që do të kenë urdhër-ndalimi ndaj bashkëshorteve të tyre; për të dënuarit në moshe të re; për të dënuarit që marrin leje nga burgjet. Vendosja e pajisjeve do të nisë në muajin janar dhe fillimisht mbikëqyrjes elektronike pritet t’u nënshtrohen 300 persona. “Byzylyku elektronik” është një pajisje në madhësinë e një telefoni, e fiksuar me një rrip, si ai i një ore. Ajo përmban një mikroçip GPS, i cili kontrollohet përmes satelitit, duke mundësuar në çdo moment lokalizimin në hapësirë të personit që e mban. Perimetri gjatë të cilit ka lirshmëri lëvizjeje personi që mban “byzylykun elektronik” përcaktohet nga gjykata. “Spiunimi” nëse personi po qëndron brenda perimetrit të caktuar bëhet nga një pajisjeje tjetër që fiksohet në banesën e tij. Në rast se personi del jashtë perimetrit, qendra operative në Ministrinë e Drejtësisë merr sinjal. Po ashtu, qendra operative merr sinjal edhe nëse ndokush tenton ta dëmtojë pajisjen.
Shoqërohet i përndjekuri Perikli Shqevi
TIRANE – Ish-i përndjekuri politik, Perikli Shqevi, i cili mbahet me masë sigurie arrest shtëpie pasi akuzohet se ka plagosur duke i vënë flakën Gjergj Ndrecës, është shoqëruar në Policinë e Tiranës për thyerje të masës së sigurisë. Shqevi është kapur nga Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit Nr. 2 kur po lëvizte në afërsi të stadiumit “Dinamo”, kohë kur, sipas Policisë, duhej të ishte në shtëpi nën masën e arrestit. Pasi është shoqëruar dhe është marrë në pyetje për disa orë në prani të avokatit të tij, më pas është lënë i lirë. Shqevi, dje në 12:30, ishte thirrur në Policinë e Tiranës për njoftimin e akuzës dhe arrestimi ka ndodhur kur ai po shkonte për t’u paraqitur në Polici.
Armand Bajrami