Breshërimë në mesnatë
Ali BREGU
Breshërimë në mesnatë
* * *
Kush moj lemzë më kujton
Mua vetmitar-e ngratë,
ǒësht’ai që s’më harron,
Kush moj lemzë më kujton?!
Vallë kush po më dërgon
Breshërimë në mesnatë,
Kush moj lemzë më kujton
Mua vetmitar-e ngratë?!
E URTA GUGUFTUJË
Moj e urta-guguftujë,
Gjerdane-rezesh stolisur,
Prej drite më je statujë
Moj e urta-guguftujë.
Sytë moj m’i bëre ujë,
Zemra po më mer të krisur,
Moj e urta-guguftujë,
Gjerdane-rezesh stolisur.
GURRAVE TË SHPIRTIT
Gurrave të shpirtit tënd,
Ku ze fill vështrimi yt,
As më çon moj dritergjend
Gurrave të shpirtit tënd!
Që dhe timin n’atë vend
Le ta zhyt moj e ta mbyt,
Gurrave të shpirtit tënd,
Ku ze fill vështrimi yt.
KUSH MË KUJTON
Kush moj lemzë më kujton
Mua vetmitar-e ngratë,
ǒësht’ai që s’më harron,
Kush moj lemzë më kujton?!
Vallë kush po më dërgon
Breshërimë në mesnatë,
Kush moj lemzë më kujton
Mua vetmitar-e ngratë?!
PËRSE MË BËN TË DRIDHEM
Përse më bën të dridhem,moj shejtane,
Si thellë toka dridhet nga tërmetet?!
Në syt’e tu të kaltër mbyt oqeane;
Përse më bën të dridhem, moj shejtane?!
Syt’e tu të bukur, hane-hane,
Qiell-i kaltër brenda tyre tretet;
Përse më bën të dridhem, moj shejtane,
Si thellë toka dridhet nga tërmetet?!
ENDET HËNA E KAFSHUAR
Endet hëna e kafshuar
Si drenush’e arratisur,
Prej tokës e robëruar
Endet hëna e kafshuar.
Porsi zemra e copëtuar,
E dërrmuar, e sfilitur,
Endet hëna e kafshuar
Si drenush’e arratisur.
MOJ VETULLKURORË
Moj vetullkurorë, rritur ndër lëndina,
Gonxh-e trëndafilit, spërkitur me vesë,
Në beben e syrit t’u kreh vetëtima
Moj vetullkurorë, rritur ndër lëndina.
Flokëve të tua ndehur shkrepëtima
Dhe nëpër qerpikë-balluket e resë,
Moj vetullkurorë, rritur ndër lëndina,
Gonxh-e trëndafilit, spërkitur me vesë.
31 Gusht 2009