E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martiri i kuq



Miri DHRAMI

Askush nuk ma rrëzon mendimin se demokracitë vijnë dhe qëndrojnë pa martirë, të cilët mund t’i kenë shtatoret prej bronzi te sheshi, ose të jenë anonimë, të padukshëm, që duhen kërkuar me kujdes, ndryshe vitet i fshehin dhe,gjaku i tyre i derdhur shkon kot.
Në fakt, do të ishte trishtuese të harrohen të tillë trima, për më tepër kur janë të rrallë si martiri ynë, që s’e kuptoj pse deri sot ende nuk i është pohuar vetëmohimi. Ngeli thjesht një puplakuq i bindur, paçka se atë vit urie u bë theror. S’më harrohet gjaku i tij i hollë si tush kinez, që u var deri poshtë cungut ku mbështeti kokën. Erdhi vetë deri aty, tamam si një hero i vërtetë, pa sjellë as më të voglin kundërshtim, paçka se na u dhemb si shpirti, sa gjyshja e para e puthi në ballë, pastaj me radhë ne të vegjëlit.
Por kishim uri dhe nuk ia bëmë të gjatë. Edhe ai sikur e ndjeu nevojën tonë, se e lëshoi kokën e vogël si çepele mbi cung, thua i pëlqeu të bënte aty një copë herë gjumë. Për pak, i shtriu këmbët të dyja bashkë, sikur do matej për herë fundit me ndonjë metër të padukshëm. Ndoshta atë të përjetësisë. Pastaj ngriti krahët, sikur i falej perëndisë për ndonjë mëkat të vogël në vitet e mëparshme, kur ndalohej besimi fetar.
Fare papritur, teksa trimi ynë ende nuk i kish mbledhur këmbët e shtrira, u dëgjua mbi cungun e lagësht një goditje e thatë si krismë. Unë i kisha mbyllur sytë para se të dëgjohej goditja, ngaqë nuk i besoja martirët. Madje, zhurma e goditjes së beftë më bëri t’i shtrëngoja sytë edhe më tepër.
ǒtë bëja? Kisha frikë dhe uri.
Kështu, pasi rrahu disa herë krahë e këmbë, mbi cungun e përskuqur erdhi qetësia.

* * *
Ishte muaji i shtatë i demokracisë dhe dita e tretë pa bukë, por nuk bëhej fjalë që për këtë të mallkonim demokracinë e re, aq shumë të munguar. E adhuronim dhe do ta adhuronim më tepër, veç të mos na gërryente gjatë periudha e rrënimit. Pra, kërkohej me çdo kusht dikush të na largonte urinë, që gjithashtu do të ngrinte dhe imazhin e lehonës demokraci.
Ndaj gjyshja dilte çdo mëngjes herët në ballkon dhe, duke mbajtur pëllëmbën si strehë mbi sy, që dielli i porsa shkrehur nga mali të mos e verbonte, vrojtonte deri poshtë rrugën, që gjarpëronte e heshtur mes ullishtave. Përpiqej të zbulonte mos ngjitej ndonjë makinë a mushkë me drithë ndihmash. Më pas dilnim ne të vegjlit, që kishim ëndërruar tërë natën kulaçkat me farinën e bardhë, të cilat na i gatuante gjyshja mbi sofran. Pasi e vinim në mes nënëmadhen, bënim edhe ne si ajo. Vendosnim një pëllëmbë mbi sy dhe shoqëronim lëvizjen e kokës së saj. Atë lëvizje e kishim mësuar mirë, ngaqë e përsërisnim ditë të tëra, pas çdo mbarim thesi.
Vërtet, thesit me miell, që na dhanë para dy muajsh, kish thuajse një javë që i kish dalë fundi dhe, për çudi, ëndrrat tona atë javë sikur u shtuan, u bënë më të plota, më origjinale. Madje edhe në drekë ne bënim ëndrra, të cilat na ngrohnin më mirë se ëndrrat e natës.

* * *
Kështu, gjashtë plus dy palë sy, pasi ndiqnim një copë herë çdo lëvizje mbi rrugën e lashtë, uleshin të dëshpëruar mbi kopshtin e zhveshur. Ishte fund vjeshte dhe kopshtit nuk i kish mbetur asgjë.
Pastaj, sytë tanë ndesheshin me shikimin e syve të gjyshes, që mërmëriste vazhdimisht nëpër dhëmbë diçka të pakuptueshme. Po ta pyesje se çfarë po mërmëriste, mund të nxehej, ndaj nuk e pyesnim. Le të nëpërdhëmbte çfarë të donte, veç të gjente diçka të hidhnim në bark, se uria po na e zbehte flakën e demokracinë.
Një çast, siç po rrinim të heshtur pranë njëri-tjetrit, dikush nga fillimi i rreshtit u shpreh me gjysmë zëri: “Gjyshja pëshpëriti fjalën kokoshi.” Pastaj fjala kokoshi, si të ishte ngjitëse, nisi të kalonte gojë më gojë. Atë çast na ngjau si fjalë e rrallë, e çuditshme, e panjohur më parë.
“Gjyshe, mos pëshpërite gjë fjalën kokoshi?”, guxova ta pyesja unë, për ta zbuluar i pari enigmën.
Ajo më pa pjerrët, si të isha hiçi. Dhe meqenëse nuk dëshironte të zgjatej në sqarime pa berqet, tha shkurt:
“Ti shiko punën tënde!”
Ishin raste të rralla që gjyshja të na fliste ashpër, ose prerë. E bënte vetëm kur donte të dëshmonte se ndodhej para një kokëçarjeje serioze. Dhe vërtet, jetët tona qëndronin në asht të dilemës: ose pranonim pa fjalë urinë, ose mohonim përgjithmonë demokracinë. Diku, ky binom i ri nuk po ia bënte qejfin vetes. Se po të zgjaste dhe pak uria, me siguri do të ishim puthur me demokracinë, si ai me Milon...
Por ja ku u gjend atë ditë aq të vështirë, të shpëtonte ne dhe imazhin e demokracisë, i miri, i shtrenjti, kokoshi ynë i kuq. Ndaj sot jam i bindur se demokracia do të lulëzojë vite dhe shekuj, ngaqë në themel të saj kulloi edhe gjaku i martirit tonë, kokoshit të ngratë.

* * *
Siç kuptohet, kalonim çaste të ndjera. Të uritur nuk mund të gërthisnim: DEMOKRACI, DEMOKRACI... Gjithçka varej në një fije peri. Herë-herë, ishim gati të fajësonim demokracinë për urinë. Por kjo duhej shkoqitur mirë. Kështu mendoja kur një çast, tek po përfundoja tollovitjen time rreth ekzistencës apo borxhit që i kemi dheut, u ngrit me vërtik gjyshja dhe thërriti: “Kokoshi!” Më në fund, u vërtetua ajo çka qarkulloi më parë mes nesh.
“Kokoshin të ma sillni këtu!”, përsëdyti kërkesën si një vezir i madh, dhe shikoi nga unë, që porsa e kisha pyetur, nëse e pëshpëriti atë fjalën e bekuae apo jo. Ai shikim ishte miratim për zgjidhjen e grifës.
Mbas urdhrit të saj, ne u sulëm të gjithë bashkë në kopsht të gjenim kokoshin, që shpupuriste dheun e thatë pak më poshtë, i vetëm, me ato puplat e kuqe, qysh nga periudha e shkuar. Kur u afruam, na shikoi i habitur, por ne nuk e zgjatëm, i thamë të vinte shpejt se e donte gjyshja.
Dhe ai erdhi, manar, serbes, sikur e ndjeu qëllimin e lartë, për të cilin kërkohej. Ndryshe, sikur të kundërshtonte dhe t’ia mbathte nga përroi, ne ishim aq të dobët sa nuk do ta kapnim dot, deri në kufi. Aty mund t’i gjuante patrulla e huaj.
Kështu kokoshi, ky bir i bindur i sakrificës së epokës së re, erdhi e qëndroi përballë gjyshes, si trim. E shikoi gjyshen me syrin e anës së djathtë, pastaj me të anës së majtë dhe prapë me atë tjetrin, si t’i thoshte: “Është epoka e të djathtëve.” Pastaj, siç rrëfeva dhe më sipër, shkoi vetë te cungu i mishit.
Pasi ndodhi edhe akti i martirizimit, gjyshja iku të ndizte zjarrin për ujin e valuar, kurse unë gjeta një konservë boshe nga të ndihmës dhe e ngjesha rrëzë cungut, t’i mblidhja gjakun që i kullonte i hollë, si tush ushtrie. Pastaj u kthye gjyshja, e vuri trimin mes këmbëve dhe, si të hiqte fishekë të pashkrehur nga gjerdani i grisur i komitit, nisi t’ia shkulte pendët e gjata një e nga një, që të bënte fshesëzën e vatrës së zjarrit. Dimri priste në prag.
Kur përfundoi me pendët e gjata, iu luta të shkulte për mua ato dytësoret, të bëja një penel të vogël, primitiv, por aq të nevojshëm për parullat e lehonës demokraci. Veç kur më pa gjakun e mbledhur, më pyeti qortueshëm:
“Mos shkruan ndonjë fjalë mbi murin e kishës, o i gjorë?”
“Jo, gjyshe, mbi murin e ambulancës do shkruaj!”
“E ç’farë do shkruash?”, pyeti përsëri, por më e qetë, ngaqë i iku meraku i muxurosjes së kishës.
“Poshtë komunizmi, çfarë tjetër mendon se do shkruaja?”, ia ktheva tërë madhështi, për t’i treguar se isha rritur dhe dija ta ndaja shapin nga sheqeri.
“Ai poshtë e më poshtë le të shkojë, e kurrë mos u ktheftë, o bir, por mos do ish më mirë të shkruaje: Rroftë demokracia!”
“Po më mjaftoi gjaku, do shkruaj edhe ashtu!”, ia ktheva qetë dhe e shikova në sy. Në fakt, më shtangu ajo shfryrja e fortë prej gjoksit të saj të vogël. Si ish e mundur që një gjoks i tharë e i mpakur të shfrynte si gjyryk i vërtetë!

* * *
Kur ajo po merrej me kokoshin, i ndjekur nga dy vëllezërit e vegjël, u nisëm të shenjtëronim, siç e meritonte, gjakun e martirit. Me penelin e ri në njërën dorë dhe në tjetrën kanaçen me gjak, iu afrova murit me suva të ambulancës. Aty mendoja të firmosja për ndjenjat e mia të lira. E llokoçita gjakun që porsa nisi të ngrinte, dhe ngjeva penelin.
Kisha aq shumë trallisje në kokë, sa për një çast harrova çfarë do të shkruaja dhe, meqenëse deri në atë kohë çdo parullë e nisnim me fjalën Rroftë, më shpëtoi dhe germën e parë për thirrjen zemërore POSHTË, e bëra R. Por u përmenda dhe u mundova ta rregulloja, ndërsa ajo u njollos më keq. Mbi mur ngeli dosido: ROSHTË KOMUNIZMI.
I mërzitur u largova pak dhe e lexova përsëri, si të bindesha për gafën me gjakun e hollë të martirit. Vërtet, ishte diçka që të impononte humor, po për çudi askush nga fshatarët nuk qeshi. Hynin të ngrysur në ambulancë, pyesnin ndihmësmjeken nëse i gjendej ndonjë ponstan apo depon, dhe iknin të heshtur, ngrysur si hije prej llambe vajguri, teksa parulla ime, në ditët që pasuan, u nxi edhe më keq.
Pasi munxurosa siç munda mbi ambulancë, u ktheva i prekur në shtëpi. Rrija i heshtur, si të kisha bërë ndonjë krim të rëndë kundër demokracisë. Ime gjyshe, tek më pa të ndërkryer, më pyeti si dikur që shkoja në shkollë.
“Hë, i shkrove shkronjat, o bir?”
“I shkrova, gjyshe”, thashë, “veçse mu ngatërruan pak. Nga nxitimi P-së i vura bisht, dhe mu bë R. Fjala Poshtë tani lexohet Roshtë.
“Ua, më rrofsh, o djalë, se më kënaq me këto shaka që gjen e më thua!”, tha ajo dhe qeshi për të sjellë normalitet në tryezën e ngopjes së asaj dite.
“Jo, gjyshe, nuk bëj shaka, kështu ndodhi vërtet!”
Por gjyshja nuk u dha më rëndësi sqarimeve të mia. Pasi e kryqëzoi ta mblatoste të pandarë kokoshin e gjorë, që po na shpëtonte nga uria, i shkuli dhe vuri para vetes dy krahët. Një copë mish e veçoi për prindërit që kishin ikur herët për dru, kurse tjetrën e ndau më gjashtësh.
Kur mbaruam me mishin, nisëm të kruanim mirë e mirë kockat e kërcinjve. Më pas, kockat na i sharroi për gjysmë babai, që t’ua thithnim dhe palcën, dhe ashtu i vendosëm në diell të thaheshin. Kur u thanë, babai na i bëri bilbila, me të cilët më vonë ne fishkëllyem e brohoritëm për demokratët e parë, që mbërritën të çakërdisur në fshat.
Ashtu, siç po kruante krahët e tharë të kokoshit, gjyshja e ngau bisedën përsëri:
“Mbas të sotmes, edhe dy-tri ditë të tjera do durojmë duke pritur ndihmat. Dhe të keni mendjen, o bij, kësaj here të rrëmbejmë dy thasë me miell, ndryshe nuk do ta nxjerrim dimrin të gjallë!”
Kështu, duke kruar dy krahët pa mish të kokoshit, gjyshja po kuvendonte më tepër me veten, sesa me ne. E thjeshtë, fshatare, po kuvendonte për mbijetesën në liri. Dhe me të drejtë. Nëse asaj here ia kishim hedhur paq urisë, aty e mbrapa duhej matur mirë. Ku do të gjendej një martir tjetër që, në një ditë po aq të vështirë, të na falte për hatër të lirisë mishin, puplat, gjakun dhe kockat?!

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›