E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brezi i eseve

Monika Shoshori Stafa

Monika Shoshori Stafa

Fondacioni mediatik Dritan Hoxha për të dytin vit organizoi sivjet një konkurs të gazetarëve të rinj të shtypit të printuar dhe të multimedias.

Ky konkurs ka inkurajuar në mënyrë të veçantë studentët të shprehin mendime në mënyrën e tyre dhe kështu të pasurojnë polifoninë e zërave të shtypit shqiptar.

Duke qenë për të dytin vit në përbërje të jurisë së këtij konkursi, si dhe duke vërejtur se çfarë inkurajojnë shoqatat vendase dhe ato europiane të gazetarëve të rinj, vetvetiu të lind dëshira për të shprehur ndonjë mendim për mënyrën sesi po vijnë brezat e rinj te gazetaria e kohëve të multimedias.

Është shumë e rëndësishme që ka nga ky brez shumë individë të interesuar për gazetarinë, duke pasur parasysh se sot çdo njeri ka gazetën e vet, madje ka të tillë që kanë dhe nga dy a tri gazeta virtuale, në formën e Facebook-ut, blog-eve, forumeve dhe në forma të tjera. Është e rëndësishme, sepse janë dhjetëra mijë individë që kanë mijëra lexues në gazetat vetjake, që janë njëfarë samizdat-i modern, në një kohë kur shtypi i printuar mund të dalë në më pak kopje, megjithëse me redaksi të mëdha e financa gjithashtu. Me sa duket, gazetaria profesioniste e ruan joshjen ndaj të rinjve, të cilët e shohin veten të paplotësuar me gazetarinë e tyre vullnetare: dialogët, fotot, përshkrimet, komplimentet, pëlqimet etj.

Publicistika që provokoi shpallja e këtij konkursi ka disa vlera për t’u çmuar. Duke lexuar e rilexuar lëndën që iu paraqit këtij konkursi, jo vetëm për të gjykuar drejt për fituesin, por edhe për të verifikuar se çfarë përjeton brezi i ri sot, bie në sy menjëherë se njeriu i shekullit të 21 gjithnjë e më shumë po i drejtohet botës së brendshme, endokozmosit, për të interpretuar të jashtmen, dukuri e re jo vetëm e gazetarisë shqiptare. Ka përpjekje për arsyetime origjinale dhe individualitet krijues. Të rinjtë janë më të lirë në formulimin e mendimeve. Gjithashtu duhet vlerësuar ndjenja e guximit dhe iniciativës. Por në prurjet e këtij konkursi shihet gjithashtu fryma e së tashmes: ka pesimizëm, ka zymtësi, ka mungesë perspektive dhe ankim për gjendjen, për çka nuk mund të bëhen fajtorë autorët. Ata i ngjajnë kohës. Gjithashtu vërehet se shumica e kandidatëve janë të prirur drejt një nënlloji, madje drejt një nënlloji jo aq të rëndësishëm në gazetari, si ai i eseve.

Edhe për këtë do të thosha se nuk është ndonjë mungesë a pikë qortimi e tyre. Është sistemi arsimor që i formon brezat e rinj me këtë mënyrë të shkruari. Të gjithë shkruajnë ese, që nga klasa e pestë deri në doktoratë. Mirëpo brezi i esesë, për shkak të orientimit shkollor që po merr, në një farë mënyre po mbyllet në vetvete, ndërkohë që gjini të rëndësishme të publicistikës, si reportazhi, skica, përshkrimi, portreti, po humbasin pak nga pak. Kjo mënyrë të formuari po krijon gazetarinë e kabinetit, gazetarinë e laboratorit, gazetarinë virtuale, ndërsa atje ku jeta zhvillohet krejt ndryshe nuk ka reporterë të rinj.

Ese bëjnë nxënësit e nëntëvjeçares, ese bëjnë edhe doktorët e shkencave. Ese bëjnë më së shumti brezi në formim e sipër. Sikurse dihet, eseja është një sprovë e thjeshtë, që dikur thuhej shqip hartim. Dhe hartimi bëhet brenda mureve të klasës, me temën që të jep mësuesi. Dikur bëheshin hartime optimiste: Pranverë në natyrë, pranverë në zemrat tona. Tani bëhen hartime krejt në sens të kundërt, pesimiste, mosbesuese. Trishtimi është njerëzor, edhe pikëllimi gjithashtu. Ka pasur në letërsi dhe një sezon të pikëllimit botëror. Mirëpo parë në pikëpamje të antropologjisë kulturore, prurjet e këtij konkursi dëshmojnë se një brez i ri që po vjen po rritet me depresion, dhe ky nuk është një depresion mode, apo një depresion moshe, depresion dashurish të humbura apo të parealizuara (në këtë pikë me sa duket ky brez nuk e njeh depresionin); por është një mjedis i tërë depresiv: pavarësisht se Shqipëria thuhet se është vendi i vetëm në Europë që nuk është prekur nga kriza, studentët janë ata që kur tërheqin nga bankomati 500 lekë të reja në ditë u qesh fytyra, sepse mund të ndodhë të shkojnë në bankomat e të gjejnë zero llogari, ngaqë prindërit, nga ana e tyre, nuk e kanë pasur të mundur tu dërgojnë diçka.

Ky brez i mbyllur dhe me perspektivë të mjegullt ka krijuar një mur midis endokozmosit dhe kozmosit. Dhe atëherë kërkon brenda vetes, nxjerr diçka prej leximeve e dëgjimeve, shkruan e konkurron, por së paku e ndien të nevojshme të konkurrojë, të dalë prej përmasës së pestë të botës, virtualitetit, së paqenës.

Gjithë pjesëmarrësit në konkursin e shpallur nga fondacioni mediatik Dritan Hoxha meritojnë të përgëzohen që e vlerësuan ftesën e këtij fondacioni si një urë për të dalë nga simptomat e brezit të eseve, që pason brezin e picave, brezin e fjalëkryqeve, brezin e night club-eve. Është e rëndësishme nisma e tyre që të provojnë e të promovojnë veten; të individualizohen mes shumë të tjerëve, të refuzojnë për një çast gazetarinë vullnetare multimediale dhe të renditen midis profesionistëve. Kjo njëherësh është edhe një dalje prej dëshpërimit. Do të sillja në vëmendjen e tyre një figurë shumë interesante, figurën e balerinës më të madhe të shekullit të 20, Isadorë Dunkan. Plot një shekull më parë ajo pësoi një tragjedi familjare të rëndë, humbi dy vajzat në një aksident të rëndë dhe vendosi të ndërpresë çdo kontakt me botën, duke e kthyer apartamentin e saj në një arkivol për një kufomë të gjallë. Madje edhe perdet i vuri të zeza. Por kur i vëllai, Raymond-i, mundi ta bindë se ka jo individë, por popuj që luftojnë për jetën dhe mbijetesën, dhe e solli në Shqipëri, ajo rilindi dhe iu rikthye skenës me një shkëlqim edhe më të madh se i mëparshmi, duke tronditur në këtë rikthim të dytë jo skenat e Parisit, por Balshoj Teatër.

Pikërisht këto mendime të zgjojnë prurjet e një konkursi gazetarie të brezit të ri. Vetvetiu të lind pyetja: a ka më njerëz që dalin të shohin çndodh nëpër Shqipëri, a ka të tillë që duan të shkruajnë për ata që kur u kujton se dita ka tri vakte të ngrëni u mbushen sytë me lot? Shqipëria nuk është qyteti i studentëve, nuk është as Blloku, nuk është kryeqyteti, nuk është Unaza e Tiranës.

Është kjo mbyllje brenda mundësive që ofron eseja që ka shkaktuar një deformim shumë të rëndë në gazetarinë shqiptare. Publicistikës që zhvillohet sot i mungon reportazhi, i mungon përshkrimi, i mungon portreti, i mungon skica. Edhe ajo që quhet gazetari e terrenit, me korrespondentët në qytete e periferi, çfarë bën? Raporton çfarë kanë raportuar në drejtorinë e policisë, në këshillin e qarkut, në këshillin bashkiak dhe, doemos, kronikën e zezë dhe aksidentet. Dhe kështu mbrëmje për mbrëmje e mëngjes për mëngjes shohim e lexojmë një Shqipëri aksidentale.

Brezi i eseve burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›