Moisiu i rremë apo Juda i vërtetë
FATMIR LAMAJ
Faraoni kishte kohë që kishte vdekur dhe zëvendësuesi i tij mezi po e mbante në këmbë perandorinë nga pasoja shkatërruese të sundimit të gjatë dhe të egër të Faraonit të madh. Njerëzit e uritur dhe të shtypur çdo ditë po bëheshin një kërcënim real për përmbysjen e pushtetit faraonik. Pjesa më e egërsuar mbeteshin hebrenjtë, që tradicionalisht në historinë e gjatë të pushtetit faraonik kishin qenë më të persekutuarit dhe më rebelët në përplasje të vazhdueshme që kishte pasur Faraoni i madh me këtë racë të pandreqshme, të cilët për hir të së vërtetës ai i kishte mundur me egërsinë e pushtetit të tij. Por përsëri ata ishin bartësit e një rreziku të madh ndaj atij pushteti që gjithmonë kullonte gjak dhe lot. Për ta dhe ndaj tyre duhej gjetur patjetër një zgjidhje me sa më pak pasoja që të ishte e mundur dhe këtë zgjidhje e impononin rrethanat e vështira në të cilat po kalonte perandoria. Rreth kufijve të perandorisë, popujt e tjerë e kishin fituar me kohë lirinë dhe flakët e kryengritjes vazhdonin çdo ditë të ngriheshin rreth kufijve aq të vegjël dhe të pamat në qiellin deri në atë kohë të qetë të perandorisë. Duhej patjetër të gjendej një zgjidhje, një zgjidhje që duhej ti shërbente në kohë dhe vazhdimisht ëndrrës për pushtet dhe dëshirës për të mbijetuar… dhe befas një ditë mendja djallëzore e zv/Faraonit, pasi ishte këshilluar gjatë me 3 kastat e fuqishme të pushtetit të tij, me kastën e magjistarëve (Sigurimi i Shtetit), me kastën e priftërinjve (sekretarët e partisë së tij), dhe me kastën e ushtarakëve (hierarkinë e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes), ai vendosi të lëshojë pak pushtet nga pushteti i tij sa i frikshëm dhe aq i pakufishëm. I njohur për djallëzitë dhe poshtërsitë, si dhe lidhjet e shumta me familjen faraonike, zv/Faraoni kishte krijuar besimin e nevojshëm te këto kasta të fuqishme të pushtetit absolut për të bërë ndryshimet e nevojshme për mbijetesën e tij dhe gjithë familjes faraonike. Në radhë të parë duheshin rregulluar marrëdhëniet tejet të acaruara nga shtypja e gjatë dhe e pamëshirë me hebrenjtë (armiqtë e popullit ose klasat e përmbysura). Hebrenjtë donin lirinë e ëndërruar prej kohësh dhe në kushtet e krijuara ishte e pamundur tua mohoje… por atyre u duhej një udhëheqës që ti drejtonte në drejtimin e gabuar (demokracisë dhe lirisë). Pasi morën në konsideratë të gjitha kandidaturat e mundshme u zgjodh ai më i përshtatshmi, Moisiu i rremë, i cili do ti printe turmat e hebrenjve drejt një itinerari të paracaktuar nga zv/Faraoni, ku do të binin pa e kuptuar ata vetë në moçalin e madh të zhgënjimit nga ku kurrë nuk do të mundeshin për të arritur në tokën e premtuar (lirisë demokracisë). Moisiu i rremë, me devocionin pervers ndaj familjes faraonike, do të zgjidhte gardën e tij pretoriane për të realizuar sa më suksesshëm detyrën sa të vështirë aq dhe delikate. Me ndihmën e pakursyer të zv/Faraonit, i cili do të interesohej dhe për uniformat e tyre (pardesytë e bardha dhe xhupat e zinj), për tu bërë të identifikueshëm në turmat e egërsuara duke iu garantuar paprekshmërinë nga ana e organeve të rendit, si dhe paratë e nevojshme por të shumta, që kërkonte organizimi i mitingjeve dhe lëvizjet e pandërprera në çdo cep të perandorisë për të realizuar misionin që u ishte ngarkuar. Moisiu i rremë, me djallëzinë e tij karakteristike, shumë shpejt do të dilte në krye të turmave si një lider i gjithëpranuar prej tyre, duke shfrytëzuar ëndrrën që ata kishin për ti udhëhequr drejt tokës së premtuar. Pas një marshimi të shkurtër në shkretëtirën e asaj kohe, Moisiu i rremë u thotë që e mundën të keqen, e përmbysëm zv/Faraonin dhe pushtetin e tij gjakatar dhe hebrenjtë e lumtur, duke parë njëri-tjetrin me habi filluan të pëshpëritnin midis tyre: si ndodhi kaq shpejt? Ata kishin dekada të tëra që luftonin për të drejtat e tyre të mohuara, duke derdhur lumenj gjaku, burgosje e internime pafund dhe si tani papritmas toka e premtuar (liria dhe demokracia), paskan qenë kaq afër dhe ata se kishin parë. Por pa kaluar shumë kohë, ata do ta kuptonin se gjithçka ishte thjesht një mashtrim i zv/Faraonit, i cili i kishte futur në një kurth ku ata do ta kishin shumë të vështirë të dilnin, pavarësisht nga përpjekjet e pareshtura të tyre. Zv/Faraoni ishte kujdesur shumë në instruktimin që i kishte bërë Moisiut të rremë, duke ia mësuar të gjitha taktikat korruptive dhe represive në ushtrimin e pushtetit. Moisiu i rremë, me gardën e vet pretoriane, u mundua dhe ia doli pa shumë mundim të zgjedhë nga turma e hebrenjve disa pseudopërfaqësues me një të kaluar të dyshimtë, duke shfrytëzuar arkivin e zi të policisë sekrete dhe i vendosi ata në poste periferike të pushtetit të tij të pamat. Ai i joshi ata me disa prona nga pasuria e pakufi e perandorisë, të cilën filloi ta shfrytëzonte sipas orekseve të tija, duke mos i dhënë llogari kurrkujt. Ndonjë guximtari, që tentonte të dilte nga rreshti dhe su bindej më urdhrave të tij, ai do ti kundërvihej egërsisht, duke e dënuar dhe denigruar pamëshirë dhe moral. Shpejt e shpejt përfaqësuesit e hebrenjve do të pakësoheshin deri në mosekzistencën e tyre në sferën e lartë të pushtetit dhe çuditërisht do të pyesnin njëri-tjetrin: si ndodhi kështu? Kjo është toka e premtuar për të cilën ne ëndërruam dhe sakrifikuam jetët tona? (Liria dhe demokracia për të cilin ishin sakrifikuar breza të tërë). Imazhi i fitores së mohuar po tretej dalëngadalë në horizontin e errët të një qielli ku kishte një Zot absolut Moisiun e rremë, i cili në dehjen e tij luciferiane kishte filluar talljen e pakursyer ndaj tyre. Ja e shikoni, unë ju çova drejt tokës së premtuar, ju dhashë lirinë dhe demokracinë, të cilën ju smund ta fitoni kurrë pa mua! Dhe ata në dyzimin e tyre të natyrshëm pyesnin: Po pronat tona kush i mori? Dhe për hebrenjtë e pabindur Moisiu i rremë ulërinte në çmendurinë e tij të pafund: – Pronat prisni se do ua japim, kur ti kemi marrë ne të tëra. Moisiu i rremë, sipas mësimeve të kryeustait, u kishte mohuar çdo të drejtë prone hebrenjve, sepse dhënia e tyre jo se linte pa gjë oborrin e tyre tashmë të fuqizuar, po u jepte atyre mundësinë të shkëputeshin nga sundimi i tij, duke krijuar pavarësinë, e cila kthehej në kërcenim për pushtetin e tij të pakufishëm dhe të pamerituar. Po të drejtat e tjera?… Çu duhen të drejtat skllevërve. Ata kaq meritojnë. Le të jetojnë në kufijtë e mbijetesës fizike që kurrë mos ti kthejnë sytë nga karrigia ime e ngritur mbi gjakun dhe mundin e tyre. Koha në ecjen e vet pamëshirë dalëngadalë i rrëzon mitet e gënjeshtrat dhe erërat që fryjnë po ia shqyejnë çdo ditë e më shumë mantelin rrëzëllitës. Hebrenjtë dalëngadalë po dalin nga gjendja e hipnozës që u injektoi ai, duke parë çdo ditë e më qartë realitetin e lemerishëm ku ndodhen. Çdo ditë që kalon dielli i së vërtetës po ndriçon fort dhe shndritshëm, duke verbuar pa ndalje e mëshirë Moisiun e rremë, duke e lënë atë të zvarritet më kot kalldrëmit plot gropa të ditëve të tij të numëruara. Tani është shumë vonë për atë. Thërrasin në kohë hebrenjtë e zhgënjyer: ai paska qenë Juda i vërtetë dhe ndëshkimi ynë atë do ta ndjekë deri në frymëmarrjen e tij të fundit! Çracë e keqe janë tradhtarët? Në çdo gjuhë të botës kjo fjalë mbart mbi vete gjithë imoralitetin dhe turpin e kësaj bote.