E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brezi i humbur i rinisë ruse.

Festivali i të Drejtave të Njeriut sjell në Tiranë regjisoren gjermane Alexandra Westmeier. Prezanton dokumentarin "I vetëm mes katër mureve".


Pas Joshua Marston regjisori i ardhur nga SHBA për premierën e mbrëmshme, që pati në Tiranë filmi i tij "Maria full of Grace", në ditën e dytë të IHRFFA-së, Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, ka ftuar Alexandra Westmeier.


Ajo është e pranishme në Akademinë Marubi ku shfaqet në orën 18.30 dokumentari i saj "I vetëm mes katër mureve" (Alone in Four Walls), Gjermani, 2007, 85'.


Westmeier e cila ka shkruar edhe skenarin, e vendos kamerën në mjedisin e të drejtave të të miturve. Në fokus është fati i adoleshentëve që bëjnë përpjekje të mëdha për t'u rritur në një shtëpi riedukimi për kriminelët e mitur në Rusinë rurale, ku jeta pas hekurave mund të duket më e mirë sesa lënia në liri.


"I vetëm mes katër mureve" jep një vështrim intim të një shoqërie nga brenda jashtë, ku djemtë nën të katërmbëdhjetat, mbahen të izoluar për krime që shkojnë nga vjedhja në përdhunim, e deri tek vrasjet në seri.


Para se të zhvendosej në Gjermani, ajo ishte Alexandra Salomatova, një ruse që kishte studiuar teatër dhe kinema në Akademinë e Dramës në Shën Petërburg dhe Moskë. Prej 2001 jeton në Gjermani, ku fillimisht ka punuar si reportere televizive për t'u përqendruar më pas në regjinë e filmit, tek dokumentarët.


"I vetëm mes katër mureve" është deri më tani suksesi i saj më i madh, qysh kur u shfaq premierë në festivalin prestigjioz të Sandensit 2008 dhe prej atëherë ka marrë afro 13 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Kritika e ka quajtur një vepër tronditëse, një ode për brezin e humbur të rinisë rusë. Madje gjen edhe vlerësime si ky: "Sikur të jetë një dokumentar i Kubrickut.".


Programi i sotëm nis pasdreke në orën 15.00 me filmin holandez "Të drejtat e jetës". Në orën 16.00 shfaqet dokumentari grek "Varrezat dixhitale" i Yorgos Avgeropoulos; në 17.00 "Fëmijët e vjedhur të Kinës" prodhim britanik me regji të Jezza Neumann dhe në mbrëmje në orën 20.00 "Një planet tjetër" i regjisorit hungarez Ferenc Moldovayi, i cili na shpie në katër kontinente, me qëllimin për të parë së pari ku shkon përdorimi i fëmijëve si punëtorë, prostituta apo ushtarë në Kongo, Kamboxhia dhe Ekuador.


"Me një përzgjedhje të gjerë filmash origjinalë që provokojnë mendimin dhe pjesëmarrjen e kineastëve, festivali i të drejtave në Tiranë, është sjellë në një standard profesional të krahasueshëm me festivale të tjera të zhvilluara rreth e rrrotull botës", tha dje në ceremoninë e hapjes në Akademinë Marubi, Presidenti i Nderit Theodore S. Orlin.


Ai kujtoi se si nisi ky festival në vitin 2006, në mënyrë modeste, me qëllim përcjelljen e mesazhit të të drejtave të njeriut në një shoqëri që ishte duke u shkëputur nga e kaluara e saj totalitare dhe që dëshironte të bëhej një shtet i gjallë evropian, i përkushtuar ndaj të drejtave të gjendura në institucionet ndërkombëtare me të cilat ai kishte rënë dakord.


"Gjatë bisedave tona, dy kolegë, Kujtim Çashku dhe unë, që kishim punuar bashkë që në '92 për promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, kuptuam se mesazhi për të drejtat e njeriut kishte nevojë për përkujdesje dhe rigjallërim.


Dhe nuk kishte asnjë metodë më të mirë për të bërë këtë, sesa të sillje në vëmendjen e shqiptarëve filma nga të gjitha anët e botës, në mënyrë që të mund të vlerësonin dilemat njerëzore që shqetësojnë kudo e vazhdimisht përmbushjen e dinjitetit njerëzor. Kështu lindi IHRFFA.


Ngjarja sot është shumë më ambicioze seç ishte katër vjet më parë." Orlin, profesor i Studimeve dhe Përkrahjes së të Drejtave të Njeriut në Kolegjin UTICA, Nju Jork, e mbylli përshëndetjen e tij të përvitshme, duke kujtuar se IHRFFA po bëhet një traditë e rëndësishme dhe në vazhdimësi për Shqipërinë gjatë shndërrimit të saj nga një vend i mbyllur ndaj botës, në një demokraci moderne, vazhdimisht në kërkim të përmirësimit të angazhimeve për të drejtat e njeriut.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›