Plagoset rëndë 32 vjeçari, kushërinjtë qëllojnë 20 herë mbi të
GJIROKASTËR- Një i ri i ka shpëtuar mrekullisht breshërive të automatikut, duke marrë plagë relativisht të rënda, por është jashtë rrezikut për jetën. Lajmin e bëri të ditur Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës e cila tha se mbrëmë rreth orës 23:00 dy kushërinj kanë qëlluar mbi një 32 vjeçar për ta vrarë. Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor gjeti 20 gëzhoja fishekësh.
Disa orë pas ngjarjes, sot rreth orës 05:00 njëri prej autorëve të ngjarjes është vënë në pranga dhe tjetri është shpallur në kërkim. Policia tha se është arrestuar Armand Meça 30 vjeç dhe është shpallur në kërkim kushëriri i tij, Erlind Meça 20 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në Memaliaj kur dy kushërinjtë kanë tentuar të vrasin për motive të dobëta 32 vjeçarin me iniciale S.P. Ai ka marrë plagë të rënda kryesisht në këmbë dhe gjendet në Spitalin e Tepelenës, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie të Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ku pas disa orësh u bë e mundur arrestimi i njërit prej autorëve të kësaj ngjarjeje.
Sipas njoftimit të policisë, grupi hetimor ka gjetur në vendngjarje 20 gëzhoja. "Nga veprimet e para hetimore dhe nga dëshmitë e marra në vendngjarje rezultoi se në drejtim të shtetasit S.P, është qëlluar mbi 20 herë për ta vrarë me armë automatike kallashnikov", thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të "Vrasjes me paramendim e mbetur në Tentativë dhe e kryer në bashkëpunim" si dhe për "Mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".