Ndërkombëtarët: Dialogu PS-PD të bëhet në Kuvend
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, dhe ai i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Lohan, bëjnë thirrje për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës.
TIRANË- Në një kohë kur mes mazhorancës dhe opozitës nuk ka asnjë frymë dialogu për zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkombëtarët bëjnë thirrje që të gjendet gjuha e përbashkët, përmes pjesëmarrjes në institucione.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh deklaroi dje se bashkëpunimi politik mes mazhorancës dhe opozitës, kryhet vetëm në Kuvend. "Ne jemi gati për të bashkëpunuar, nëse na kërkohet për të ndihmuar qeverinë dhe opozitën, brenda Parlamentit, për të zbatuar rekomandimet e raportit te ODIHR-it.
Për ta bërë këtë duhet edhe opozita, dhe sigurisht kjo mund të bëhet vetëm në Parlament", - u shpreh dje Bosh. Ai shtoi gjithashtu se, mazhoranca duhet të nxisë bashkëpunimin me opozitën në Parlament.
Lidhur me kërkesën e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit, si kushti i vendosur prej saj për të hyrë në Parlament, Bosh la të kuptohej se kjo për OSBE-në është një çështje tashmë e mbyllur, sa kohë që në fillim të muajit gusht u shpall edhe vendimi përfundimtar i zgjedhjeve.
"Nuk jam këtu si një ekspert ligjor apo si dikush nga Gjykata Kushtetuese, por mesa kuptoj, të gjitha mjetet ligjore janë ndjekur, deri sa më 1 gusht u shpall rezultati përfundimtar i zgjedhjeve", - tha Bosh.
Ky qëndrim i ambasadorit të OSBE-së, erdhi pas një takimi të zhvilluar dje me ministrin e Punëve të Jashtme dhe njëherësh zëvendëskryeministrin, Ilir Meta. Ky i fundit, vlerësoi dje rolin e OSBE-së për zhvillimet e saj në Shqipëri.
Ndërkohë, thuajse në të njëjtën linjë me Ambasadorin Bosh, ka qenë edhe ambasadori i delegacionit evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, ditën e djeshme në Durrës, gjatë Konferencës Kundër Pastrimit të Parave dhe Primit Ekonomik. Lohan argumentoi se, Kuvendi është vendi i duhur për të pasur bashkëpunimin politik midis forcës qeverisëse dhe asaj opozitare.
Qëndrimet e ndërkombëtarëve vijnë pas deklaratës së kreut të rizgjedhur të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili evidentoi faktin se opozita nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 28 Qershorit, sa kohë që nuk do të zbardhet e vërteta e zgjedhjeve.