Brisbane Roar-Melbourne Victory, shkëlqen Besart Berisha

Në ndeshjen e xhiros së 22-të të Ligës së Parë të futbollit në Australi, që u zhvillua ndërmjet kampionit aktual Brisbane Roar dhe Melbourne Victory, në stadiumin Suncorp, me plotë meritë fituan vendësit me rezultatin 3:2, duke arkëtuar tre pikë të vlefshme në luftë për titullin e kampionit.
Në një ndeshje të bukur e me pesë gola të shënuar në të dy anët, shkëlqeu sërish kosovari Besart Berisha, i cili shënoi për Brisbane dy gola, njërin në minutën e 1-të dhe tjetrin në minutën 38, derisa golin e tretë e shënoi Henrique nga penaltia.
Te mysafirët golashënues i dyfishtë ishte internacionalisti dhe lojtari i kombëtares australiane Harry Kevell, në minutën 8 dhe 49.
Si njofton Gaim Hafuzi nga Australia, me dy golat e realizuar në këtë takim, Berisha i prin listës së realizatorëve me 15 gola të shënuar, kurse Brisbane Roar mban pozitën e dytë në renditje tabelore me 38 pikë të grumbulluara.