E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania dorëzon në OKB rezolutë për Sirinë

Britania do t'i dorëzoje sot një rezolutë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të autorizuar masat e nevojshme për të mbrojtur civilët në Siri. Rezoluta do të paraqitet në një takim me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit. Ky lajm është bërë i ditur nga kryeministri i Britanisë David Cameron në rrjetin social Twitter. Ndërkaq inspektorët e Kombeve të Bashkuara kanë rinisur sot hetimet në vendin ku dyshohet se ndodhi sulmi me armë kimike afër Damaskut. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Moon, i ka bërë thirrje inspektorëve t’iu jepet kohë në mënyrë që të vërtetojnë faktet për përdorim të armëve kimike në Siri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se së shpejti do të publikojnë raportin e shërbimit sekret lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Zëvendës presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se nuk ka dyshim që qeveria siriane ka përdorur armë kimike dhe duhet të mbajë përgjegjësinë për këtë. Qeveria siriane ka mohuar në mënyrë absolute të gjitha deklaratat për përdorim të armëve kimike. Ndërkohë Rusisë dhe Kinës, të cilët janë kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri, i është bashkuar edhe Irani, ku udhëheqësi suprem i tij, Hamenei, shprehet se një ndërhyrje e tillë do të rezultonte katastrofike për vendin.
(e.m/j.knezi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›