Britania kërkon marrëveshje me Kosovën për qendrat e kthimit të emigrantëve

Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova duket se po shkojnë drejt një marrëveshje për emigrantët e paligjshëm. Keir Starmer i ka kërkuar Kosovës strehimin e azilkërkuesve të cilëve u është refuzuar e drejta e qëndrimit në Britani, si pjesë e planit të ‘qendrave të kthimit’.
Sipas “The Times“, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka sinjalizuar se është e hapur për një marrëveshje të tillë, ndonëse bisedimet ende nuk kanë nisur.
“Do të ishim të hapur ta diskutonim, megjithatë, nuk mund të them më shumë se kaq sepse nuk i di detajet. Nuk mund të jap një përgjigje për një kërkesë që nuk është bërë deri më tani”, ka thënë Osmani.
Kosova është një prej 9 vendeve të listuara nga ministrat dhe zyrtarët britanikë, si destinacione të mundshme për ngritjen e qendrave.
Ndërkohë që nuk kanë filluar diskutime zyrtare me asnjë vend, kuptohet që Qeveria po kërkon përparim në këto plane përpara se të presë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Londër këtë vjeshtë.
Lista e ngushtë përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, së bashku me Kosovën, plus disa vende jo-evropiane me të cilat ministrat duan të kontaktojnë.
Ministrat fillimisht shpresuar që të ishte Shqipëria vendi që do të priste emigrantët, por kryeministri Edi Rama e përjashtoi këtë mundësi javën e kaluar.
Burime qeveritare, sipas artikullit, kanë thënë se Kosova është një vendndodhje “e besueshme” sepse ndodhet në njërën nga rrugët kryesore të përdorura nga migrantët e paligjshëm që udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas Ministrisë së Jashtme, gati 22,000 emigrantë të paligjshëm përdorën rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE vitin e kaluar.
Starmer po përballet me presion në rritje për shkak të numrit në rritje të migrantëve që mbërrijnë me anije të vogla.
Një numër rekord prej 13,573 emigrantësh kanë kaluar Kanalin e La Manshit deri më tani, duke përfaqësuar një rritje prej 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, më shumë se 3,000 emigrantë hynë në BE pasi udhëtuan nëpër Ballkanin Perëndimor në katër muajt e parë të këtij viti, përfshirë 804 në muajin prill.
/rtsh.al/