E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosovë, sot përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kosovës do të mblidhen sërish këtë të diel (25 maj) në përpjekjen e radhës për të konstituuar Kuvendin.

Seanca do të mbahet në orën 11.00, ndërsa partitë politike nuk kanë mundur të gjejnë konsensusin për emrin e kryepalamentares, duke mos lejuar në këtë mënyrë konstituimin e Kuvendit.

Kjo ka çuar në një ngërç politik prej më shumë se tre muajsh, ku Lëvizja Vetëvendosje, që doli fituese nga zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe opozita, akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim institucional.

Gjatë vizitës së saj në Prishtinë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, u bëri thirrje partive që të dalin nga ngërçi politik.

“Kosova duhet të ketë institucione funksionale që në mënyrë efektive mund të zbatojnë reformat. Për këtë arsye i inkurajoj gjitha partitë politike që të dalin nga ky ngërç politik që Kosova të përfitojë nga përkrahja jonë”, tha ajo.

Ngërçi politik në Kosovë vijon të thellohet, ndërsa vendi mbetet pa Kuvend të konstituuar dhe pa qeveri të re, në pritje të një kompromisi mes forcave politike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›