E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania, nesër vota e ndryshimit

Tre “pronarët” e tortës elektorale

Nesër, anglezët do të hedhin votën e tyre për të vazhduar, apo për t’u ndarë nga sundimi 13-vjeçar i laburistëve, i pandërprerë nën drejtimin e dy kryeministrave, fillimisht Tony Blair, në dy mandatet e para dhe një pjesë të mandatit të tretë dhe së fundi e aktualisht, Gordon Brown.

Deri më 15 prill, që ishte edhe data e debatit të parë televiziv në historinë zgjedhore britanike, të gjithë, ose thuajse të gjithë, prisnin që rezultati i zgjedhjeve do të ishte një shkëmbim i natyrshëm i pushtetit nga laburistët te konservatorët e David Cameron-it. Për sa i takon Gordon Brown-it, atij nuk i mbetej gjë tjetër veçse të pranonte humbjen, edhe pse ai, asnjëherë dhe për asnjë çast nuk është dorëzuar. Por ndryshe nga paraardhësi i tij, Kryeministri skocez nuk ka aftësitë që të bëjë spektakël zgjedhor e të bëjë për vete zgjedhësit në fushatë. Ndërkohë, nga kohët e rinisë, ka trashëguar kokëfortësinë e lojtarit të regbisë.

Për sa i përket britanikëve, ata përveçse një popull konservator, kanë mësuar me kalimin e dhjetëvjeçarëve që të jenë edhe pragmatistë dhe në momentin e duhur, të japin vendimin e duhur. Mjafton të kujtojmë rastin e Churchill , i cili u mund në zgjedhjet e përgjithshme, kur sapo kishte arritur që të mundte Hitlerin. Lavdia e Kryeministrit të madh i mbeti atij dhe librave të historisë, ndërkohë që paqja kishte nevojë për persona dhe figura të tjera tashmë. Sigurisht që Brown nuk është Churchill , por edhe ai ka pasur arritje gjatë qeverisjes. Si ministër i Financave, gjatë viteve më të mira kur Blair ishte Kryeministër i vendit dhe më pas gjatë problemeve financiare të krizës së rëndë, ai ishte njeriu që ka qenë në krye të financave të Britanisë së Madhe. E pikërisht tani që kriza nuk është më në momentin e saj më akut, britanikët janë të mendimit se ka ardhur koha që banorët e “Downing Street” të ndryshojnë. Një situatë e re kërkon njerëz të rinj. Mbi shpatullat e Brown rëndojnë si një kryq 13 vitet e laburistëve në pushtet, fillimisht me Blair-in Kryeministër e më pas me të. Për të mos folur për luftën e Irakut dhe gjithë bëmat e saj famëkeqe, që në njëfarë mënyre kanë damkosur qeverisjen e laburistëve. Kjo pa marrë parasysh karakterin e ashpër të Brown-it së bashku me një paaftësi të madhe të komunikimit me vartësit dhe përgjithësisht me publikun e gjerë. Madje shesh ka qenë edhe i pakujdesshëm, si në rastin kur pa e ditur se ishte ndërkohë me mikrofona hapur, e quajti një zgjedhëse që e pyeste lidhur me problemet e jetës së përditshme, “fanatike”. Ishte një gabim, një gafë që do t’i kushtojë shumë e madje tashmë ka bërë që shumë vota të çmuara të mos i konsiderojë të tijat në zgjedhjet e nesërme. Kjo sepse ndryshe nga kultura që kanë vende të tjera, si për shembull Italia, ku një Kryeministër tolerohet jashtë çdo mase kur bën gafa dhe humor të rëndë, në Britaninë e Madhe një gafë në momentin e gabuar mund të rezultojë fatale.

Po le t’i rikthehemi fillimit të shkrimit, pra datës 15 prill që ishte edhe data e debatit të parë televiziv mes krerëve të partive, në të gjithë historinë e zgjedhjeve britanike. Në fakt, kjo datë shënoi një zhvillim të ri dhe thuajse të papritur. Kjo jo vetëm për sa i përket fushatës zgjedhore, por vetë zhvillimit të politikës së vendit. Atë ditë, pas shumë diskutimesh, u vendos që të dilnin përballë njëri-tjetrit jo dy krerët e partive kryesore, pra asaj Laburiste në pushtet dhe Konservatore në kërkim të pushtetit, por edhe të asaj që konsiderohet si partia e tretë, apo forca e tretë politike në Britaninë e Madhe, Partia Liberal-Demokrate e përfaqësuar nga lideri i saj, Nick Clegg. Nuk ishte një debat ballë për ballë, sipas stilit francez të debateve zgjedhore, por një debat tipik amerikan, ku pjesëmarrësit ndodhen përballë telekamerave, secili në podiumin e tij dhe i përgjigjen pyetjeve. Bëhet fjalë për një spektakël që nuk ishte bërë kurrë më parë, madje aq i suksesshëm sa të zinte vendin e parë në të gjitha televizionet dhe programet televizive për shikueshmëri të lartë. Dhe siç ndodh në spektaklet e suksesshme, ai ishte plot me të papritura, mes të cilave njëra prej tyre shumë e madhe. Pikë së pari, protagonistët nuk ishin vetëm dy persona, por tashmë tre, pra ishte prishur diçka që ishte shumë tradicionale te britanikët, bipartitizmi. Përballë njëri-tjetrit nuk ishin vetëm Brown dhe Cameron, por tashmë edhe një lojtar, një faktor i tretë, liberal-demokrati Clegg, sigurisht jo një i panjohur, por as popullor në masën e kundërshtarëve të tij. Kjo hyrje e re ndryshoi rregullat e deriatëhershme të lojës, duke krijuar një prishje të balancës dhe duke futur tashmë një model të ri të treshes. Brown, le ta quajmë “plaku”, nuk ishte aspak në pozicionin e Krishtit në kryq mes dy hajdutëve të vegjël, sepse Cameron dhe Clegg, edhe pse nuk mund të konsiderohen djelmosha, duke qenë se kanë të dy 43 vite mbi supe, gjithsesi nuk kanë përvojën shumë të rëndësishme të të qeverisurit, duke qenë se kanë drejtuar vazhdimisht parti opozitare. Pavarësisht gjithçkaje, ajo që pjesa më e madhe e britanikëve vunë re ishte në radhë të parë që Brown mishëronte tashmë të shkuarën, i rënduar jo nga pesha e viteve, sepse është në moshë ende të re, 63 vjeç, por e një qeverisjeje të gjatë dhe së fundi edhe shumë të vështirë, për shkak të krizës ekonomike. Ai ishte mishërimi i krizave dhe së kaluarës së Britanisë. Si pasojë të gjitha sondazhet e opinionit publik të publikuara gjatë këtyre ditëve, e kanë lënë në fund të renditjes “të vjetrin” Brown. Ndërkaq edhe gazetat kryesore, madje edhe ato të majta e kanë konsideruar në qëndrimin e tyre Brown “një të skualifikuar”. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për rezultatin e zgjedhjeve që do të dalë paraprakisht që të enjten në mbrëmje. Pas debateve televizive, parashikimet fillestare kanë ndryshuar në mënyrë radikale. Në njëfarë mënyre, të tre konkurrentët dhe partitë e tyre kanë në parti thuajse të njëjtën sasi votash, pra elektorati është i ndarë në tresh. Gjithsesi në krye është David Cameron me një copë më të madhe se të tjerët, por ai do ta ketë të vështirë një shumicë absolute, siç mendohej se do ta fitonte, para se të zhvilloheshin debatet televizive mes konkurrentëve. Laburistët e pakënaqur, që do të votojnë për konservatorët, janë përqendruar këto javët e fundit te partia e tretë që doli fort në pah gjatë debateve. Në këtë rrethanë, laburistët u kanë deklaruar zgjedhësve të tyre se kush voton për liberal-demokratët ka votuar në fakt për konservatorët. Për sa i përket Gordon Brown dhe liberal-demokratit Nick Clegg, ata kanë thuajse pikë të barabarta në sondazhe. Gjithsesi Brown ka më shumë shanse që të dalë në vendin e tretë. Nëse një fenomen i tillë do të vihej re edhe në votën reale, atëherë ky do të ishte një fenomen i jashtëzakonshëm për sa i takon politikës britanike në përgjithësi, por edhe vetë pozicionit të laburistëve. Për sa i takon liberal-demokratëve, ata mund të konsiderohen pasardhës të liberalëve që qeverisnin Britaninë e Madhe në fillimin e shekullit të kaluar. David Lloyd Xhorxh ishte Kryeministri i fundit liberal (1916-1922). Më pas, Partia Laburiste fitoi terren të dukshëm në peizazhin politik britanik, duke u shndërruar antagonistja e konservatorëve. Partia aktuale Liberal-Demokrate ka lindur nga ndërthurja në vitin 1988 e asaj çka kishte mbetur nga Partia e vjetër Liberale dhe Partisë Social-Demokrate që përbëhej nga laburistët e zhgënjyer.

Pavarësisht rrugëtimit të gjatë dhe jo të lehtë, nëse liberal-demokratët do të kishin shumë më tepër vota nga laburistët në përfundim të zgjedhjeve, atëherë do të bëhej fjalë për një zhvillim shumë të rëndësishëm politik dhe në njëfarë mënyre kjo mund të konsiderohet edhe si një marrje haku, një shekull më vonë. Joshja e të riut Clegg ndaj elektoratit britanik ka pasur efekt të jashtëzakonshëm. Origjina e tij holandeze dhe ruse njëherazi, të qenit folës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja dhe me një përvojë të gjatë universitare e bëjnë një individ që në fakt nuk ka asnjë gjë të përbashkët me një liberal-demokrat tipik, pra snob dhe “të ngrirë”. Ai është një djalosh që i përket mendimit të qendrës, i zgjuar, i shkathët dhe fleksibël për të anuar sa djathtas e majtas kur e do nevoja. Madje ai ka edhe përqasje për ekologjinë.

Cilido qoftë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, liberal-demokratët nuk do të mund të kenë kurrë më shumë vota se laburistët. Të paktën këtë mendon pjesa më e madhe e analistëve dhe për laburistët kjo është e rëndësishme, të paktën në këtë moment politik. Sistemi elektoral britanik (mazhoritar) nuk është simetrik për sa i takon raportit mes votave dhe numrit të deputetëve. Me një elektorat të shpërndarë aty ku duhet mund të arrihen më shumë deputetë se në rastin e votave të shumta në vendin e gabuar. Me një elektorat të ndarë në tre pjesë sipas të gjitha gjasave do të konfigurohet një Parlament pa një shumicë absolute.

Laburistët dhe liberal-demokratët në fakt duken si aleatët më të mundshëm, por pyetja është me Brown-in, apo pa Brown-in? Me cilin person si Kryeministër? Gjithsesi i favorizuari i kësaj situate vazhdon që të mbetet aristokrati David Cameron.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›