Universitetet: Projektligji i arsimit, i papranueshëm
Projektligji i arsimit të lartë po kërkohet me përparësi nga të gjitha dekanët, rektorët, shefat e departamenteve si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private.
Deri tani nuk ka pasur një reagim të përbashkët lidhur me pikat e konsideruara me probleme, pasi po pritet që secili prej përfaqësuesve të mbarëvajtjes mësimore në arsimin e lartë të ketë të paktën deri në fund të javës një kopje të projektligjit. Mendohet se një reagim zyrtar, konkret, do të nisë me fillimin e javës së re. Kjo, duke pasur parasysh edhe ndihmën që i është kërkuar Kryeministrit, në një peticion dërguar javën e kaluar në zyrën e marrëdhënieve me publikun. Nga ana tjetër, nisur nga situata e krijuar, e mospasjes së një informacioni të saktë, është kërkuar nga universitetet publike që ky projektligj të kthehet mbrapsht për konsultim, të diskutohet nga grupet e interesit dhe njëkohësisht të ndryshohet në ato pika ku evidentohet përplasje me Kushtetutën. Profesorati dhe universitetet publike i kanë kërkuar ndihmë Kryeministrit Berisha të marrë në konsideratë problemet që ka ky projektligj dhe të ndërhyjë para miratimit të tij në Këshillin e Ministrave.
Universiteti i TiranësKreu i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, ka reaguar dje, duke thënë se nevojitet që projektligji të kthehet për konsultim. Ndërkohë që pjesa ku jepen detajet lidhur me diplomat e nivelit të integruar, si dhe master të nivelit të dytë, ka nevojë për diskutime dhe gjetje të një zgjidhjeje që nuk do të krijojë diskutime tek ata që janë duke kryer një pasuniversitar të tillë dhe po investojnë për një proces të tillë studimi të klasifikuar si cikël të nivelit të dytë.
“Pasuniversitarët master janë të papërshtatshëm me sistemin dhe prandaj nevojitet një rikonceptim”, ka sqaruar dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj. Sipas tij, në projektligj ka ndërhyrje lidhur me kompetencat që Kushtetuta i ka dhënë autonomisë universitare.
Universiteti i KorçësRektori i universitetit “Fan Noli” të Korçës, Gjergji Mero, thotë se projektligji për arsimin e lartë është i kontestueshëm në formën aktuale të paraqitur dhe i diskutueshëm, duke lënë vend për propozime për ndryshime. Sipas tij, nuk është marrë mendimi i rektorëve lidhur me ndryshimet që parashikon projektligji për arsimin e lartë, si dhe nuk ka pasur konsultim as me konferencën e rektorëve. Për këtë arsye, sipas Meros, është kërkuar dhe propozuar që të kryhen ndryshime në këtë projektligj. “Kemi paraqitur propozimet tona në bazë të kërkesave që kemi, por edhe për ndryshime në disa nga amendamentet. Ka vend për ndryshime në amendamente në këtë projektligj dhe pas propozimeve do të jemi në pritje të një përgjigjeje”, sqaroi Mero. Sipas tij, në konferencën e rektorëve janë paraqitur disa propozime për ndryshimin e ligjit aktual. “Ne jemi në pritje të një përgjigjeje ndaj vërejtjeve tona, para se të kalohet ky projektligj”, sqaroi rektori i Korçës.
#